Çerçiz Topulli, pushka që nuk heshti për Atdheun

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Një pasdite korriku, kur dielli qëndronte pingul mbi tokë ndërsa tymi i barutit ende errësonte qiellin, një trup luftëtari ra. Nuk kishte më pushkën në dorë, dhe duart i kishte nën pranga, por padyshim emrin e Shqipërisë e mbante në buzë.

Nuk ishte vështirë të kuptohej se ishte një intrige dhe pabesi e madhe.

Ishte 15 korrik 1915. Çerçiz Topulli, kapedani që nuk e njihte frikën, priti në gjoks plumbat e skuadrës së pushkatimit. Bashkë me të ishte dhe atdhetari tjetër, gazetari Muço Qulli. Aso kohe, Çerçizi ishte 35 vjeç dhe u ekzekutua në fushën e Shtoit në Shkodër nga forcat pushtuese malazeze, që kishin hyrë në territorin shqiptar.

Historianët hedhin akuzat nga shovinistët grekë, që me armët e shovinistëve malazezë eleminuan kapedanin, çeta e të cilit vrau dhespot Fotin e Korçës, si shenjë hakmarrje pasi qarqet greke vranë Papa Kristo Negovanin.

Por zhurma e pushkës së tij nuk u fashit. U përhap nëpër histori si krismë që nuk resht së trokituri në ndërgjegjen kombëtare. Ai nuk ra thjesht nga një plumb, por u ngjit në lartësi, atje ku qëndrojnë vetëm ata që jetojnë për të gjithë. Ishte një prej atyre burrave që zgjodhi lirinë përpara jetës.

Nga malet e Gjirokastrës, ku nisi betejën kundër osmanëve më 1907, e deri në përplasjet me trupat greke në Jug në vitet 1913-1914, Çerçiz Topulli ishte jo vetëm armë, por edhe vizion e zjarr që ndizte shpresën e një kombi të përçudnuar nga luftra që nuk mbaronin. Ishte më shumë se një luftëtar: ishte një ide që marshonte mbi male, një flamur i gjallë që nuk u përkul asnjëherë.

Për të përjetësuar këtë jetë, këtë frymë dhe këtë simbol, Kinostudio “Shqipëria e Re” realizoi në vitin 1979 filmin “Liri a Vdekje” – një epope kinematografike që nuk shfaq vetëm historinë e një heroi, por ngre një monument për një brez të tërë luftëtarësh. Rolin e Çerçiz Topullit e interpreton aktori Timo Flloko, i cili nuk e portretizon vetëm kapedanin, por bëhet njësh me të. Në çdo shikim të ngulët, në çdo rrudhë mendimi, në çdo britmë për liri, Flloko nuk aktron – ai jeton Çerçizin.

Në ekran, zëri i tij jehoi:

– “Erdhi ora jonë, o trima. Me besa-besën. Ua njoh të gjithëve trimërinë. E di që secilit i vlon gjaku për hakmarrje dhe dora nuk i dridhet. Por ne kemi vendosur që për binbashin të shkojë Hito Lekdushi me Bajram Prongjinë…”

Janë fjalët e një njeriu që nuk njeh frikë, që udhëheq jo nga prapavija, por nga maja e frontit.

Në një tjetër skenë, mes një rrethimi, komandanti armik, me flamur të bardhë, i ofron dorëzimin:

– “Kapedan Çerçiz Topulli! Hidhi armët ti dhe djemtë e tu. Nuk dua që të vriteni. Në emër të Allahut zotohem t’u fal jetën. Dhe Padishahu do të japë pozita për ty dhe për njerëzit e tu!”

Por përgjigjja është aq e qartë sa heshtja e një mali:

Lexo edhe :  Rithemelim, rikthim dhe revolucioni vazhdon!

– “Largo taborët, Latif Aga, dhe lëri djemtë e mi të shkojnë. Ne nuk jepemi, se jemi bijtë e Skënderbeut që luftojmë gjer në orën e fundit. Shqiptari di të vdesë sipas zakonit – me nder për mëmëdhenë!”

Pas kësaj, kapedani u kthye nga djemtë e çetës së tij dhe tha:

– “Këtu bëhet luftë. E kjo luftë u takon burrave. Mbushni armët, or trima!”

Filmi, me regji të Ibrahim Muçajt dhe Kristaq Mitros dhe me skenar të Vath Koreshit, është një poemë e gdhendur në celuloid, për një jetë të shndërruar në legjendë. Ai nuk tregon thjesht një radhitje ngjarjesh, por është një përjetim emocional – një kalvar burrërie, sakrifice dhe vendosmërie.

Sepse Çerçiz Topulli nuk lindi për t’u përkulur.

Dhe kënga që u ngrit atë çast, kaloi gojë më gojë:

Te Rrapi në Mashkullorë,

Foli Çerçizi me gojë,

Turku këtej të mos shkojë,

Se i kuq, i  bëj me bojë, 

Mylazim largo taborë,

Leri djemtë e mi të shkojnë. 

Çerçiz Topulli më thonë

I lindur në Gjirokastër më 1880, ai u rrit me jehonën e legjendave dhe u bë vetë një legjendë. Bashkë me të vëllanë, Bajo Topullin, organizoi çetat kryengritëse në Jug, vrau komandantin turk të Gjirokastrës më 1908 dhe i tregoi Perandorisë se shqiptarët nuk ishin më nënshtetas të saj, por zotër të tokës së vet.

Pas shpalljes së Pavarësisë, kur shumë pushkë u ulën, ai nuk e hoqi dorën nga brezi me vezme e pisqollë. Luftoi kundër copëtimit të vendit nga fqinjët, mbrojti kufijtë e Jugut nga grekët, dhe pastaj vrapoi drejt Veriut, ku shqiptarët po binin nën çizmen malazeze. Dhe atje, pranë fushës së Shtoit, përballë taborëve të armikut, ai u bë pjesë e dheut që e deshi me gjithë zemër.

Por legjendat nuk mbyllen me plumb. Ato mbeten të hapura në rrëfime, në këngë, në filma, në flamuj që valëviten dhe në rrugë që mbajnë emrin e tyre. E tillë është edhe historia e Çerçiz Topullit. Pushka e tij heshti më 15 korrik 1915. Por fjala, ideali dhe guximi i tij nuk pushuan kurrë.

Më 1937, eshtrat e tij u kthyen në Gjirokastër – në qytetin ku nisi rruga dhe ku prehet sot, si një flamur i palosur në zemrën e Shqipërisë. Dhe kurdoherë që një brez i ri kërkon kuptimin e fjalës atdhe, le të dëgjojë zërin e Çerçizit, që nuk pranoi pozitë, nuk pranoi falje, por zgjodhi të jetojë në përjetësi me një fjalë të vetme:

Liri a vdekje!

 

Të fundit

Shqiptarët grabitën europianët përmes telefonave, zbulohet skema e “call center”

SPAK, në bashkëpunim me autoritet gjermane përmes një operacioni të gjerë, të shtrirë në disa shtete të BE, kanë...

Në Shqipëri SIGAL paguan 9 milionë euro dëme në 6 muaj

Nga raporti 6-mujor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në tregun e përgjithshëm Jetë dhe Jo Jetë, SIGAL Insurance Group-i mbajti edhe këtë herë vendin...

Shqiptarët duhet të paguajnë 20 euro për një vizitë në BE, kërkesa e fundit nga Europa

Komisioni Europian ka propozuar së fundmi, një tarifë prej 20 € për qytetarët nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Europian, për të mbledhur më shumë...

Rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira

Demush Shasha  Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian është dashur të shërbejë si “plumbi i argjendtë” për zgjidhjen e sfidave të procesit të zgjerimit. Pasi...

Ose je peng ose i pafytyrë ekstrem/ Jamarbër Malltezi sulmon Dumanin dhe Gjokën

Në vijim të fushatës së ashpër të sulmeve ndaj institucioneve të drejtësisë, Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, ka vijuar të hedhë akuza...

Lajme të tjera

Web TV