Last Updated on 15/07/2025 by adminfjala
Kardinali Ernest Simoni ka mbajtur lutjen në shqip në konferencën “Mbrojtja e Fëmijëve të Perëndisë” e organizuar nga John Leaps Evangelization në Neëark të New Jersey.
Ernest Simoni është shpallur Kardinal nga Papa Françesku në një koncistori të mbajtur më 19 nëntor 2016, ndërsa është i njohur për mbijetesën e tij ndaj persekutimit nën regjimin komunist shqiptar. Simoni u burgos më 24 dhjetor 1963 nga qeveria e asaj kohe pasi kreu një Meshë për vdekjen e presidentit amerikan John Fitzgerald Kennedy. Në atë kohë, Simoni u torturua dhe iu kërkua që të martohej për të hequr dorë njëherë e mirë nga besimi i tij.
Kardinal Simoni ka treguar në shqip historinë e jetës së tij, ndërsa risjell dhe njëherë në kujtesë takimin me Papa Shën Gjon Pali II dhe Nënë Terezën, kur ata vizituan Shqipërinë pas rënies së komunizmit.
“Shqipëria u bekua nga Gjon Pali II kur ai mbërriti në Shqipëri [në vitin 1993, menjëherë pas rënies së komunizmit]”, tha kardinali. “Ai u përpoq të lidhej me popullin shqiptar dhe ky është bekimi më i madh që patëm [nën komunizëm].”
Kardinali Simoni theksoi rëndësinë qendrore të dashurisë vëllazërore në besimin e krishterë, duke thënë se, për sa kohë që pjesëmarrësit në konferencë e jetojnë këtë vëllazëri dhe e mbajnë Krishtin pranë, nuk kanë pse të kenë frikë nga demonët.
Pas fjalimit të mbajtur në gjuhën shqipe, 96-vjeçari Ernest Simoni kreu një ekzorcizëm të sendeve personale dhe më pas u lut në latinisht për çlirimin e të gjithë botës nga e keqja dhe nga ndikimi djallëzor.
Në fund Ernest Simoni e mbylli fjalimin me një thirrje të fortë drejtuar të gjithë botës për të vepruar dhe për të mos harruar se të gjithë i përkasin Jezu Krishtit.
“Çdo gjë që bëjmë dhe çdo gjë që jemi. Nuk mund ta harrojmë kurrë se i përkasim Jezu Krishtit”. m.p.