Last Updated on 26/07/2025 by adminfjala
Ambasadori Genci Muçaj, përfaqësues i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, zhvilloi një takim zyrtar në Washington, D.C., me Ambasadorin Philip Hughes, Presidentin e sapozgjedhur të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë (CAA).
Në këtë takim të rëndësishëm diplomatik, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy Këshillave, me fokus të veçantë në diplomacinë rajonale, sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rolin strategjik të SHBA-ve në zhvillimet e politikës së jashtme shqiptare.
“Jemi krenarë që thellojmë bashkëpunimin me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë përballë sfidave dhe mundësive që sjell rajoni,” – u shpreh Ambasador Muçaj, në emër të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Gjatë takimit, Muçaj shprehu falënderime për Ambasadorin Timothy Chorba për drejtimin e deritanishëm të CAA-së dhe i përcolli urime për detyrën e tij të re si Kryetar i Bordit Drejtues.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dhe ai Amerikan gëzojnë prej vitesh një marrëdhënie partneriteti të ngushtë, të bazuar në vlera të përbashkëta demokratike dhe respekt të ndërsjellë.
Në deklaratën e tij, Ambasador Muçaj theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të ndërtuara mbi miqësi historike dhe mbështetje të palëkundur – që nga njohja e hershme e shtetit shqiptar, mbështetja për tranzicionin demokratik, anëtarësimi në NATO dhe, më së shumti, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.
“Lidhja jonë nuk është vetëm historike, por e udhëhequr nga një vizion i përbashkët për paqe, siguri dhe vlera demokratike,” – tha Muçaj./E.T