Last Updated on 30/07/2025 by adminfjala
Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Prizren është dëmtuar. Përkrenarja dhe shpata e heroit kombëtar janë lyer me ngjyrë floriri. Kjo shtatore u vendos më 28 nëntor 2020 në rrethrrotullimin e rrugës “Hasan Prishtina” në Prizren ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet pë rastin.
Kjo shënon ngjarjen e dytë pas përdhosjes së flamurit tonë kombëtar pak ditë më parë në Suharekë. Lidhur me këtë veprim ka reaguar ashpër Shoqata “Trojet e Arbrit” e cila e ka cilësuar sulmin të shëmtuar dhe të qëllimshëm.
Kreu i kësaj shoqate, Nue Oroshi, në rrjete sociale i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që të zbulojnë dhe dënojnë autorët e këtij akti.
“Ky është një akt i papranueshëm, një provokim i qëllimshëm që cënon jo vetëm figurën e Skënderbeut, por edhe krenarinë tonë kombëtare,” ka deklaruar Oroshi.
Policia e Prizrenit ka bërë me dije se ka nisur verifikimet në terren dhe do veprojnë në përputhje me udhëzimet e Prokurorisë. Zona ku ndodhet shtatorja është e pajisur me kamera sigurise, ndërsa përmes tyre pritet të identifikohet autori. m.p.