Dikur avokati i Trump, merr në hetim dosjen “Epstein”

Todd Blanche, avokati personal i Donald Trump, ndodhet në qendër të një polemike të madhe pas vizitës së tij në burg për të intervistuar Ghislaine Maxwell, partneren e ndjerë Jeffrey Epstein. Blanche, që u emërua zëvendës Prokuror i Përgjithshëm nga vetë Trump, ka qenë më parë avokati i tij në çështjen e famshme për pagesën e heshtjes ndaj Stormy Daniels. Në seancën e konfirmimit në Senat, ai pranoi se do të ruante besnikërinë dhe konfidencialitetin ndaj Trump edhe pasi të merrte postin e ri. Kjo ngriti menjëherë shqetësime për një konflikt interesi, veçanërisht pasi Trump ka qenë shok i ngushtë me Epstein.

Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr aktualisht nga njerëz të besuar të Trump, ka filluar të rihapë dosjen Epstein një veprim që ka ngjallur dyshime politike dhe ligjore. Vizita e Blanche në burg për të marrë dëshmi nga Maxwell është parë nga demokratët si një përpjekje për të kontrolluar dëshminë e saj, ndoshta për të mbrojtur Trumpin. Senatori Chuck Schumer e akuzoi Blanche se po përpiqet të realizojë një mbulim të korruptuar të së vërtetës. Megjithëse nuk ka prova konkrete për një ndërhyrje të tillë, opozita kërkon transparencë për përmbajtjen e intervistës me Maxwell.

Blanche ka deklaruar se veprimet e tij kanë qenë profesionale dhe të udhëzuara nga drejtësia, ndërsa avokati i Maxwell tha se ajo u përgjigj sinqerisht për nëntë orë me radhë. Megjithatë, shumë ekspertë ligjorë, përfshirë etikistë nga administrata Obama, thonë se Blanche nuk duhet të ishte përfshirë fare në këtë intervistë për shkak të lidhjeve të ngushta me Trump. Disa prej kolegëve të tij të vjetër janë të tronditur nga transformimi i tij nga një prokuror i pavarur në një lojtar politik.

Mimi Rocah, ish-kolege e Blanche, tha se në të kaluarën ai vetë do të kishte protestuar kundër një ndërhyrjeje të tillë. Shumë kujtojnë që Blanche ka fituar popullaritet te Trump pasi arriti të rrëzonte akuzat ndaj Paul Manafortit në vitin 2019. Pas asaj çështjeje, Blanche nisi të afronte gjithnjë e më shumë me rrethin e Trump dhe madje themeloi firmën e tij ligjore me një tjetër mbrojtës të Trump. Ai kaloi nga të qenit demokrat në republikan në janar 2024 dhe u vendos pranë Mar-a-Lago.

Lexo edhe :  Papagalli inteligjent hyn në Guinness për aftësitë e tij të ralla në dallimin e ngjyrave

Në gjyqin për paratë e heshtjes, Blanche ishte figura kryesore e mbrojtjes, ku Trump u shpall fajtor për 34 akuza, megjithatë dënimi u shty pafundësisht. Gjatë gjithë kohës, Trump e mbrojti publikisht Blanche dhe më pas e emëroi në postin e dytë më të rëndësishëm në Departamentin e Drejtësisë. Në seancën e konfirmimit, senatorët demokratë e pyetën nëse do t’i thoshte “jo” Trumpit nëse i kërkonte ndonjë veprim të paligjshëm. Blanche u përgjigj se do të ndiqte ligjin, por shtoi se nuk e besonte që Trump do i kërkonte ndonjë gjë të tillë.

Shumë ekspertë ligjorë thonë se kjo është pikërisht situata ku një person i arsyeshëm do të dyshonte përanshmërinë e tij. Edhe pse intervista me Maxwell është kryer, përmbajtja e saj mbetet e fshehtë. Pa transkripte zyrtare, nuk dihet nëse Blanche ka prekur ndonjë informacion që përfshin Trumpin. Megjithatë, Blanche ka deklaruar publikisht se është i përkushtuar ndaj drejtësisë dhe se “asnjë e vërtetë nuk është jashtë kufijve të hetimit.”

Kjo histori ka nxitur debat të fortë publik dhe politik për pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë dhe ndikimin që Trump mund të ketë mbi të.

Gjatë kohës së fushatës dhe pas vonesave të shumta në çështje federale, çështjet për dokumentet sekrete dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e 2020 mbetën të pazgjidhura deri në afërsi të zgjedhjeve të 2024-s. Pas fitores së Trump, ekipi i prokurorit special Jack Smith vendosi të tërhiqte ato çështje. m.p.