Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar tre burra të tjerë të arrestuar gjatë protestave masive antiqeveritare në janar. Sipas mediave shtetërore të Iranit, Hassan Deobad, Hamid Kazemi dhe Reza Zanganeh u varën sot në qytetin Karaj pasi Gjykata Supreme e vendit mbështeti dënimet e tyre me vdekje.
Agjensia iraniane e lajmeve Tasnim,raporton se, të tre burrat u dënuan për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin dhe pjesëmarrje në trazira të armatosura më 8 dhe 9 janar, kur ishin duke u zhvilluar protesta të gjera antiqeveritare.
Gjyqësori iranian i akuzoi ata për përfshirje në sulme ndaj objekteve publike dhe qeveritare, si dhe për zjarrvënie dhe shkatërrim të pronës publike.
Sipas aktakuzës, tre burrat kishin përdorur armë zjarri, granata dhe kokteje Molotov, dhe dyshohet se ishin të përfshirë në shkatërrimin e një nënstacioni elektrik në Karaj, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.
Hassan Deobad u arrestua më 11 janar, pasi autoritetet e konsideruan atë të dyshuar për sulme ndaj objekteve publike dhe nxitje të incidenteve të dhunshme. Dhjetë persona të tjerë u arrestuan më pas, të akuzuar për pjesëmarrje në trazirat nën udhëheqjen e tij.
Gjykata Revolucionare e Karajit i dënoi tre të pandehurit kryesorë me vdekje dhe konfiskim të pronës së tyre, ndërsa të tjerët u dënuan me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. Ekzekutimet u kryen pasi apelimet u refuzuan dhe vendimet u ratifikuan përfundimisht nga Gjykata Supreme.
Ekzekutimet vazhdojnë
Tre varjet janë të fundit në një seri ekzekutimesh në Iran në muajt e fundit që përfshijnë njerëz që u arrestuan gjatë protestave antiqeveritare në janar.
Autoritetet iraniane kanë lidhur disa nga këto raste me akuza për bashkëpunim me SHBA-në dhe Izraelin, duke pretenduar se të dënuarit ishin të përfshirë në veprime të organizuara kundër sigurisë kombëtare.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë ngritur vazhdimisht shqetësime në lidhje me trajtimin gjyqësor të të arrestuarve gjatë protestave, duke pretenduar për të meta procedurale dhe rrezikun e ekzekutimeve për njerëzit që morën pjesë në protesta antiqeveritare.
Kohët e fundit, të premten, më 6 nëntor, HRANA raportoi se Hamid Kazemi dhe Hassan Deobad ishin dënuar me vdekje nga Gjykata Revolucionare në Karaj. Dy ditë më vonë, autoritetet iraniane njoftuan ekzekutimin e tyre, së bashku me Reza Zanganeh./k.m
