“Më tha mos ik tek Italia, ndryshe ta heq pasaportën“, De Biasi tregon batutat e Ramës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në verë, Villasimius mund të bëhet një vend i rrezikshëm: “Disa ditë më parë përjetova nga afër zjarret, shumë pranë shtëpisë sime të pushimeve”.

Gianni De Biasi po shijon detin e Sardenjës. Ujë i kaltër, zjarr i kuq: “Doli mirë, askush nuk u lëndua, por…” De Biasi, ish-mesfushor, sot trajner, pret një telefonatë: “Eksperienca më bën të ndihem i fortë, mund të jap ende shumë”.

Gianni De Biasi është nga Sarmede, Treviso: “Kam lindur afër San Martino di Colle Umberto, fshati i Ottavio Bottecchia, çiklistit që fitoi ‘Tour de France’ dhe vdiq i masakruar nga rrahjet, nuk është kuptuar kurrë pse. Disa thonë se e rrahën sepse mori një kokërr rrushi, të tjerë tregojnë të tjera versione. Si fëmijë, kjo histori më la mbresa. Kam qenë ndihmës famullitari në Venetën e viteve ’60, kush shkonte në meshë mund të luante në fushën e kishës”. Si fëmijë ishte tifoz i Juventusit, por…: “E lashë këtë qasje pikërisht ditën kur luajta për herë të parë kundër bardhezinjve, me Pescara.

Ata, juventinët (Juventusi i parë i Trapatoni, fundi i viteve ’70) ishin tmerrësisht antipatikë. Në fushë silleshin sikur ishin pronarët e botës, me një snobizëm të padurueshëm. Që nga ai moment, tifoja ime për Juventusin u zbeh. Sot bëj tifo vetëm për skuadrat që drejtoj”.

Edhe Interi ishte një zhgënjim për të: “Sezoni 1975-1976, isha mesfushor me shumë shpresa dhe më vendosën në dhomë me Sandro Mazzola, një legjendë. Mazzola e mbante dritën ndezur deri vonë natën, sepse po shkruante autobiografinë e tij (‘Feta e parë e tortës’, 1977). Më pyeste: Gianni, a të pengon llamba? Dhe unë nuk ankohesha: Jo, aspak. Në fakt më pengonte shumë për gjumin. Zhgënjimi i vërtetë ishte tjetër, nuk debutova kurrë në Serie A. Në Perugia isha gati për të hyrë, por dikush u dëmtua dhe trajneri Chiappella ndryshoi mendim, futi Acanfora. Rezultati? Zero paraqitje me ekipin e parë të Interit, vetëm me të rinjtë”.

De Biasi konsiderohej një mesfushor luftarak: “Në fakt, linda si ‘mezzala’. Brescia ishte skuadra ku luajta më shumë dhe ku kisha trajner Gigi Simoni. Më thërriste ‘kalushi im’, do isha hedhur në zjarr për të. Një mjeshtër i vërtetë. Te Brescia shkova si pjesë e marrëveshjes për Beccalossi. Ta markoje ‘Becca’ ishte e pamundur, nuk ia merrje dot kurrë topin. Për ta ndalur, duhej ta godisje. I dërgoj një përqafim të madh”.

De Biasi si trajner: “Kam bërë vërtet një rrugë të gjatë, nga provincat më të thella. Nuk kam pasur kurrë menaxher. Dy herë i kam thënë ‘jo’ Gea-s. E kam ngjitur malin pa helikopter. Kush arrin majën me kazmë, e shijon panoramën më bukur”.

Te Brescia ka stërvitur Robi Baggio: “Më 2003-2004, sezonin e tij të fundit. Ta stërvisje atë ishte e lehtë. Njerëzit duan të shohin Robi Baggio, i thoja, dhe mbaronte puna. Kishte gjunjë të shkatërruar dhe kjo i sillte probleme në shpinë. Unë përdorja skuterin dhe në bark mbaja një fashë elastike prej neopreni, kundër të ftohtit, si rripi i famshëm i doktor Gibaud. Një ditë i them: Robi, provoje këtë. Ai e mori, e veshi, luajti dhe nuk e hoqi më. Problemet e shpinës iu zhdukën, qëndrimi u stabilizua. Tani që po e mendoj: Robi, nuk ma ktheve më atë gjë… Mos u shqetëso, po bëj shaka. Baggio ishte një ‘fuoriklas’ i papërshkrueshëm, i shtyrë nga një pasion i çmendur për futbollin. E shihja duke vuajtur: Robi, nëse nuk je në gjendje… Dhe ai, në dialektin venecian me kthehej: Mister, unë luaj”.

Lexo edhe :  Liverpool gjen pasuesin e yllit që shiti për 75 mln euro

Torino, një tjetër kapitull i bukur: “Ngjitja në Serie A menjëherë, shkarkimi, rikthimi dhe shpëtimi. Pastaj edhe një herë shpëtimi. Me presidentin Urbano Cairo kisha keqkuptime, por të gjitha u sqaruan. M’u bë shumë qejfi kur më ftoi në ditëlindje dhe nga skena tha: Në fillimet e mia te Torino bëra një çmenduri, shkarkova De Biasin. Më thoshte që do të isha Fergusoni i tij dhe disi isha, edhe pse me ‘raste’. Cairo di të krijojë vlera në çdo sipërmarrje”.

Shqipëria, kryevepra e De Biasit: “U kualifikuam në Europianin 2016, me fitore në Portugali ndaj CR7. Aty nisi miqësia ime me kryeministrin Edi Rama, një juventin i thekur, por s’ka problem. Rama modernizoi Shqipërinë, e çoi në të ardhmen. Sot Tirana është një qytet i ri dhe dinamik. Kur Rama më dha ‘Kryqin e Skënderbeut’, nderi më i lartë i vendit, më kërcënoi se do ma hiqte pasaportën italiane nëse firmosja për ndonjë tjetër… Rama më dha pasaportë diplomatike shqiptare, me të cilën shkoj kudo, më ka zgjidhur disa probleme në vende të vështira. Kur ka radhë në aerporte, unë kaloj direkt”.

Në vitin 2016, para Europianit, ishit shumë pranë Italisë. “Më telefonoi Michele Uva, atëherë drejtor i përgjithshëm i FIGC. Trajneri Conte kishte njoftuar se pas Europianit do shkonte te Chelsea dhe unë isha në ‘pole’ për ta zëvendësuar. Është e vërtetë që presidenti i FSHF-së, Armando Duka, më tha se nuk mund ta braktisja, se po të shkoja në Francë si trajner në largim, do ta dobësoja Shqipërinë. Besoj se kishte edhe diçka tjetër, nuk e di. Më ka mbetur një peng i madh, madje një inat i tmerrshëm që nuk u bëra dot trajner i Italisë”.

Nuk të kërkuan për të zëvendësuar Spallettin? “Jo, dhe më ka ardhur keq. Sot ndihem 30 herë më i mirë, kam mësuar shumë nga goditjet që kam marrë. Eksperienca të jep njohuri superiore”.
Një dëshirë jashtë futbollit: “Vajza ime, Chiara, okuliste në spitalin civil të Pordenones, u martua në qershor dhe shpresoj që të më bëjë gjysh. E kam moshën e duhur për këtë”. / Gazzetta dello Sport/E.T

Të fundit

I shpallur ‘non grata’ si Berisha/ Rusia ‘ofensivë’ për shpëtimin e mandatit të Dodikut

Ka filluar me reagimin e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, vazhdoi me një deklaratë jashtëzakonisht...

U përfshi nga flakët, zjarrfikësit shpëtojnë xhaminë historike të kthyer në katedrale

Një zjarr shpërtheu në xhaminë historike të shndërruar në katedrale në Kordoba të Spanjës të premten, por u shpëtua pasi zjarrfikësit arritën që të...

Polici hero që shpëtoi katër të plagosurit: I lumtur që i shpëtova, kam djegie në duar

Mes flakëve dhe frikës që automjeti mund të shpërthente, efektivi Klajdi Mustaj, i cili u kthye në një hero për jetën e katër qytetarëve,...

Europa në luftë me zjarret/ Vihen nën kontroll flakët pranë Athinës, evakuimet vijojnë

Zjarri që kërcënonte periferinë e Athinës u vu nën kontroll paraditen e së shtunës, por evakuimet në zonat e rrezikuara po vazhdojnë, teksa erërat...

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës: Sulmi ndaj News24, alarm kombëtar

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) ka reaguar pas sulmit të Policisë së Shtetit ndan News24. “Censura është arma e pushteteve të korruptuara...

Lajme të tjera

Web TV