Qeveria braziliane ka kërkuar zyrtarisht konsultime me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në lidhje me tarifat e vendosura nga Shtetet e Bashkuara mbi produktet braziliane, njoftoi ministria e jashtme.
Kjo kërkesë, e dorëzuar pranë misionit amerikan në OBT përfaqëson hapin e parë zyrtar në një mosmarrëveshje tregtare.
“Brazili ka paraqitur një kërkesë për konsultime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në kuadër të Sistemit të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT),” thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.
Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva kishte paralajmëruar më herët se qeveria e tij do të paraqeste një ankesë formale për të kërkuar anulimin e tarifave amerikane, të cilat ai i konsideron si shkelje të rregullave të tregtisë ndërkombëtare.
Masat tarifore në fjalë janë vendosur Donald Trump, i cili vuri një tarifë prej 50% për importet amerikane nga Brazili, një veprim që ai e lidhi me atë që e quajti një “gjueti shtrigash” kundër aleatit të tij politik, ish-Presidentit Jair Bolsonaro, i cili aktualisht po përballet me gjyq për komplot të dyshuar për grusht shteti pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2022.
Sipas Ministrisë braziliane të Zhvillimit, Industrisë dhe Tregtisë (MDIC), rreth 36% e eksporteve të Brazilit drejt SHBA-ve do të preken nga këto tarifa.
“Duke imponuar këto masa, SHBA-të shkelin në mënyrë flagrante angazhimet thelbësore të marra nga ai vend ndaj OBT-së, siç është parimi i kombit më të favorizuar dhe kufijtë e tarifave të negociuara brenda asaj organizate”, shtoi deklarata. m.p.