Last Updated on 07/08/2025 by adminfjala
Zyrtarët shëndetësorë në SHBA po i bëjnë thirrje udhëtarëve të jenë vigjilentë përballë përhapjes së vazhdueshme të një virusi të transmetuar nga mushkonjat, i cili po qarkullon në disa pjesë të Azisë, Afrikës, Europës, Amerikës Latine dhe rajonit të Oqeanit Indian.
Sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), që nga fillimi i vitit 2025 janë raportuar rreth 240 mijë raste infektimi me virusin chikungunya dhe 90 viktima në 16 shtete. Në Kinë, shpërthimi ka prekur afërsisht 7 mijë persona që nga fundi i qershorit, shumica e të cilëve në qytetin Foshan në provincën Guangdong, në veri të Hong Kongut. Ky është shpërthimi më i madh në Kinë që prej identifikimit të parë të virusit në këtë vend në vitin 2008.
Çfarë është virusi chikungunya?
Chikungunya është një sëmundje virale që transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara të llojit Aedes aegypti, të cilat shpërndajnë gjithashtu dengue, ethët e verdha dhe virusin Zika. Emri “chikungunya” vjen nga gjuha Kimakonde (Tanzani dhe Mozambik) dhe do të thotë “të përkulur nga dhimbja”.
Në shumicën e rasteve, pacientët përmirësohen brenda një jave, por dhimbjet e kyçeve mund të zgjasin me muaj apo edhe vite. Nuk ka kurë për këtë virus, por vdekjet janë të rralla. Më të rrezikuar janë të sapolindurit, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike si sëmundjet e zemrës apo diabeti.

Sa serioze është përhapja aktuale?
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rritja e rasteve nisi në fillim të vitit 2025, veçanërisht në Ishujt e Oqeanit Indian si La Reunion, Mayotte dhe Mauritius. Vetëm në La Reunion janë raportuar mbi 47 mijë e 500 raste dhe 12 vdekje deri në maj, ndërsa ECDC e çon numrin në mbi 54 mijë raste deri më 18 korrik. Ky është shpërthimi më i rëndë në ishull që nga epidemia e viteve 2005–2006.
Virusi është përhapur gjithashtu në Madagaskar, Somali, Kenia dhe pjesë të Azisë Juglindore, përfshirë Indinë, ku Mumbai ka parë një rritje të ndjeshme të rasteve që nga korriku. Në Europë, OBSH-ja ka shprehur shqetësim për rastet e importuara, kryesisht në Francë.
Në Amerikë, vendet më të prekura janë Brazili (185 mijë e 553 raste), Bolivia (4 mijë e 721), Argjentina (2 mijë e 836) dhe Peruja (55). Ndërkohë në Kinë, përveç Foshanit, raste janë raportuar në të paktën 12 qytete të tjera në jug të provincës Guangdong.
Në Hong Kong, më 2 gusht u konfirmua rasti i parë pas gjashtë vitesh: një djalë 12-vjeçar që kishte udhëtuar në Foshan dhe paraqiti ethe, skuqje dhe dhimbje kyçesh./kb
