Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi ka folur mbrëmjen e sotme për mundësinë e bashkimit të forcave opozitare, si mënyrën e vetme për të fituar ndaj mazhorancës.
Në një emision televiziv, Këlliçi tha se opozita duhet të bashkohet me një marrëveshje të qartë politike, testi i parë i së cilës mund të jenë zgjedhjet lokale të 9 majit.
Ai shtoi më tej se kandidatët mund të mos jenë vetëm figura politike por edhe eksponent të shoqërisë civile ose që vijnë nga protesta.
“Ka një formulë bashkimi që i fokuson të gjitha energjitë opozitare te mazhoranca. Opozita bashkohet me një marrëveshje shumë të qartë politike, ku testi i parë mund të jenë zgjedhjet lokale, mund të konvertohen të gjitha energjitë te kandidaturat e përbashkëta, bashkë me shoqërinë. Mund të ketë qytete bie fjala, ku asnjë parti politike s’e ka një kandidat më të mirë se sa një eksponent i shoqërisë civile, apo eksponent që mund të vijë nga protesta, apo të jetë figurë publike. Duke patur një marrëveshje të vërtetë me njëri-tjetrin, jo vetëm politike, por njerëzore mbi të gjitha, për të vënë interesin e vendit para interesit politik partiak. E vetmja mënyrë që ne t’i bindim shqiptarët që është i mundur ndryshimi dhe që të bëhemi një valë aq e madhe votash, sa të mposhtim ndikimin e makinerisë elektorale të shtetit, makinerisë korruptive, administratës, është nëse gjejmë një formulë të tillë dhe të bashkohemi. Hajde bëjmë një sondazh nga të gjitha forcat, qytetarët, dhe më të kuotuarit të futen në betejë dhe t’i mbështesim”, tha Këlliçi./k.m
