Eksodi i çmendur, “Vlora” dhe 20 mijë shpirtra mbi një det shprese

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Nga larg, mëngjesi i 8 gushtit 1991 nuk dukej se kishte asgjë të zakonshme në portin e Durrësit. Ajri rëndonte nga dielli i përvëluar i verës dhe nga një tension i padukshëm që vinte si një dallgë, jo nga brigjet, por nga thellësia e vendit. Në horizont, anija tregtare “Vlora”, e ngarkuar me sheqer nga Kuba, sapo ishte kthyer nga një udhëtim i lodhshëm. Por vetëm pak orë pasi ishte ankoruar në kalatë, pa shkarkuar ende asnjë ton nga ngarkesa, ajo ndezi sërish motorët për një lundrim të paparashikuar.

Nga rrugët që zbrisnin në port, turmat u derdhën si ujë lumi që nuk mbahet dot nga diga. Gra me fëmijë në krahë, burra me çanta shpine, djem të rinj që mbanin vetëm shpresën — të gjithë shtyheshin, bërtisnin, ngjiteshin në çdo litar e shkallë të anijes. Nuk kishte biletë, nuk kishte radhë, nuk kishte kufi. Vetëm dëshpërim dhe një fjalë e vetme në mendje: Itali.

Brenda pak orësh, “Vlora” u kthye në një ishull njerëzor: mbi 20 mijë shpirtra, të shpërndarë nga kuverta deri në tualete, nga dhomat e ngarkesës deri mbi urën e komandës e vinçat e mallrave. Kapiteni nuk kishte më kontroll mbi anijen, ndërsa autoritetet portuale, të pafuqishme, shikonin si deti i njerëzve e gëlltiste anijen.

Kur “Vlora” u shfaq në radën e Barit, oficerët italianë mbetën të pataksur. Një mur i gjallë trupash, një kulla njerëzish mbi valë, po afrohej drejt bregut të tyre. Ishte pamja e një eksodi që nuk e kishin imagjinuar kurrë, edhe pse vetëm pak muaj më parë, më 7 mars 1991, Italia kishte përjetuar valën e parë të madhe të emigracionit shqiptar: 27 mijë persona në vetëm 24 orë. Atëherë, anija “Liria” kishte mbërritur e para me 4 mijë vetë; transoqeaniku “Tirana” kishte sjellë 3 mijë të tjerë; “Legend”, e mbiquajtura “panamezja”, kishte ngjeshur në bord 5 mijë persona. Pas tyre, me radhë, kishin mbërritur “Butrinti”, “Sazani”, “Sopoti”, “Alba”, “Kallmi”, “Apollonia” e të tjera. Një armatë e tërë anijesh shqiptare kishte zbarkuar në portet e Jugut të Italisë.

Lexo edhe :  Ben Andoni: Pse Berisha e lë turbull PD-në?!

Italianët ishin gjetur të papërgatitur atëherë; tani, përballë “Vlorës”, ndiheshin të pushtuar. Shërbimet sekrete nuk kishin asnjë informacion të saktë; autoritetet portuale nuk dinin si të vepronin.

“Vlora” nuk ishte një anije dosido. E prodhuar në Itali në vitin 1960, me një kapacitet prej 12 341 tonësh, ajo ishte blerë nga shteti shqiptar vetëm një vit më parë, në Xhenova, për rreth 4 milionë dollarë. Por atë ditë nuk transportonte mallra: transportonte shpresë, dëshpërim dhe frikë.

Vetëm pesha trupore e 20 mijë njerëzve arrinte 1 300 ton (20 000 × 65 kg mesatarisht), rreth 10,8% e kapacitetit të plotë të saj të ngarkesës. Nga ana teknike, kjo nuk ishte rrezik i menjëhershëm për trupin e anijes. Por rreziku real ishte tjetër: pesha ishte shpërndarë në mënyrë të çrregullt, nga kuverta e sipërme deri në çdo cep të strukturës; qendra e gravitetit lëvizte me çdo valë e me çdo shtyrje të turmës; njerëzit ishin të ekspozuar ndaj diellit përvëlues, pa ujë, pa ajrim, pa higjienë.

Kur u ankorua në Bari, “Vlora” nuk ishte më një anije tregtare: ishte një metaforë e një vendi që po largohej nga vetvetja, një arkë e mbingarkuar jo me kafshë të Noes, por me njerëz që kërkonin një fillim të ri. Për disa, ajo ditë ishte hapi i parë drejt një jete të re. Për të tjerë, ishte thjesht një ikje e dhimbshme. Por për historinë, mbeti dita kur deti Adriatik nuk ndau, por bashkoi Shqipërinë me Italinë në një përqafim të dëshpëruar.

Të fundit

Gjendet një person i pajetë në Korçë, dalin detajet e para

Një 70-vjeçar është gjetur pa shenja jete ditën e sotme në banesën e tij në Korçë, ku jetonte i...

Sa shanse ka Edi Rama të heqë nga qarkullimi paranë ‘cash’?

Shkruar nga DW / Edi Rama njoftoi së fundi një plan ambicioz: ai do ta shndërrojë Shqipërinë në shtetin e parë në botë që...

A ka nevojë të desorosifikohet Shqipëria?

ANDI BUSHATI - Lapsi Sali Berisha në stilin e tij proverbial i është përveshur edhe njëherë George Sorosit dhe të birit të tij, duke...

Portieri i Kombëtares U-21 rikthehet në Greqi

Anxhelo Sina është zyrtarisht lojtar i PAS Janina. Klubi i kategorisë së dytë greke e ka huazuar portierin shqiptar nga Rio Ave, klubi portugez...

Mediu justifikohet: Ja pse duhet të kemi disa grupe parlamentare

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur se është në të mirë të opozitës që të ketë sa më shumë grupe parlamentare në...

Lajme të tjera

Web TV