Shumica e të rinjve shqiptarë nuk do të kenë kurrë shtëpi të tyren!

Shqipëria dhe pjesa më e madhe e globit, po arrijnë në një pikë ku të paturit e një shtëpie po bëhet e pamundur për shumicën e të rinjve. Edhe pse shpesh dëgjojmë që kjo të përshkruhet si pasojë e “forcave të tregut”, kjo krizë është në fakt produkt i zgjedhjeve politike dhe ekonomike të ndërmarra prej dekadash.

Bora Mema – studiuese e ekonomisë politike – shprehet në Apostrof Podcast se logjika e dikurshme, sipas të cilës çmimi i një shtëpie reflektonte koston dhe një fitim mbi të, sot ajo është kthyer në asset, e cila mund të përdoret për të parkuar para, për t’i pastruar ato, apo edhe ëpr të spekuluar me rritjen artificiale të çmimit.

“Sot çmimet nuk përfaqësojnë  koston e ndërtimit të banesave. Sot është një mundësi më vete, qoftë për të pastruar para, siç është rasti i vendeve si Shqipëria, qoftë për të pasur një lloj ekonomie rentiere, në të cilën ti nuk ke pse të rrezikosh, siç ka qenë dikur kapitalizmi në fazat e veta. Ti sot nuk ke pse rrezikon, po i hedh ato para në blerjen e një banese, e lë me qira… Mund të kesh në mënyra të parregullta dhe të paligjshme, ose për shkak të politikave të influencuara nga grupe të ndryshme lobimi, ti ke një numër të madh banesash që i mban bosh dhe i rrit artificialisht çmimin.”

Kostoja sociale e gjithë kësaj është e jashtëzakonsme, pasi nëse shtëpia kthehet në instrument financiar, roli i saj si nevojë bazë njerëzore minohet. Për pasojë, gjithnjë e më shumë të rinj zgjedhin të mos krijojnë familje, ta vonojnë këtë sa më gjatë, apo të emigrojnë, ndërsa pabarazia vetëm thellohet, jo vetëm mes atyre që mund të jenë pronarë të një shtëpie dhe atyre që e kanë të pamundur, por edhe ndërmjet atyre që e shohin shtëpinë si strehë dhe të tjerëve, të ciëlt e shohin si një mundësi për t’u pasuruar në mënyrë spekulative.

Lexo edhe :  Rama: Në tokat që digjen për 30 vite nuk do të jepet leje ndërtimi

Pra, duket se kriza e strehimit dhe pamundësia e shumicës së të rinjve për të patur një shtëpi, nuk është edhe aq simptomë e sistemit, por një model biznesi dhe sa kohë ky model është fitimprurës për një numër të vogël njerëzish, të tjerët do të duhet të paguajnë kostot.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: https://youtu.be/oyfyPdIPBIo