Aktorja amerikane Christina Applegate ka zbuluar se diagnoza e sklerozës së shumëfishtë, me të cilën jetonte që prej vitit 2021, ishte e gabuar. Megjithatë, gjendja e saj shëndetësore nuk është përmirësuar dhe ajo ende nuk e di se çfarë i shkakton simptomat e vazhdueshme.
Aktorja 54-vjeçare, e njohur për rolin në serialin Dead to Me, e ndau lajmin në episodin e fundit të podcastit të saj “MeSsy”, ku bashkëprezantuese është Jamie-Lynn Sigler.
Applegate tregoi se mjeku i kishte komunikuar se nuk vuante nga skleroza e shumëfishtë, por ky lajm nuk i solli lehtësimin që të gjithë prisnin.
“Kur të thuhet se nuk ke sklerozë të shumëfishtë, kjo nuk do të thotë se papritur je më mirë. Unë nuk jam përmirësuar, Jamie! Përkundrazi, nëse ka diçka, jam përkeqësuar”, u shpreh ajo, duke shtuar se tashmë duhet të nisë nga e para për të kuptuar se çfarë po ndodh me shëndetin e saj.
Aktorja foli me emocione edhe për pasojat që kjo situatë ka pasur në jetën e saj personale dhe profesionale. Ajo pranoi se ka kaluar një periudhë të rëndë depresioni, ndërsa sëmundja dhe simptomat e pashpjeguara i kanë ndërprerë karrierën.
“Kam humbur gjithçka. Kam humbur punën time. Çfarë mund t’i thuash dikujt që ka jetuar me këtë për gjashtë vjet?”, tha ajo.
Applegate tregoi gjithashtu se ende ka vështirësi në ecje dhe duhet të përdorë karrocë me rrota kur shkon në vizita mjekësore. Ajo theksoi se lajmi për diagnozën e gabuar nuk ndryshoi asgjë në gjendjen e saj fizike.
“Ndihesha sikur kisha një arsye përse çdo ditë ishte e vështirë. Tani nuk e kam atë përgjigje dhe kjo është shumë shqetësuese dhe konfuzuese për mua”, u shpreh aktorja.
Christina Applegate u shtrua në spital në mars të vitit 2026 dhe, sipas raportimeve, u largua nga spitali në gusht, pas një qëndrimi të gjatë. Ajo kishte folur më herët për dhimbjet dhe vështirësitë shëndetësore me të cilat përballej.
Tashmë, mjekët e saj do të përpiqen të zbulojnë shkakun e vërtetë të simptomave që e kanë shoqëruar që prej vitit 2021.
Skleroza e shumëfishtë është një sëmundje e sistemit nervor qendror që ndikon në komunikimin mes trurit dhe pjesës tjetër të trupit. Simptomat dhe ecuria e saj ndryshojnë nga një person te tjetri, ndërsa shkaqet e sakta nuk janë ende plotësisht të njohura./ad
