Last Updated on 15/08/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi

Sa herë që shpërthen një zjarr, përsëritet i njëjti refren i lodhur: nuk është faji i diellit përvëlues, as i temperaturave të larta, por gjithmonë gjendet një dorë e fshehtë – një zjarrvënës. Herë pas here, ndonjëri kapet, gjykohet, merr një dënim… dhe ndoshta del sërish i lirë për t’u kujdesur që “tradita” të mos humbasë vitin tjetër.
Shpjegimi? Po ai i zakonshmi, thuajse folklorik: “Për të ripërtërirë pyjet, për t’i dhënë frymëmarrje kullotave, për ta bërë tokën më pjellore.” Një lloj ekologjie e përmbysur, me benzinë dhe shkrepëse, ku natyra “rigjenerohet” vetëm pasi kalon përmes një krematori të shtruar mbi kodra.
Para pak ditësh, prefekti i Vlorës, Plator Nesturi, bëri një deklaratë të fortë për mediat, duke theksuar se situata dhe autorët e këtyre veprimeve nuk duhen toleruar më, sepse, sipas tij, “një shkrepse po i kushton shtetit shqiptar 20 milionë euro.” Dhe kjo është vetëm kostoja e dukshme – avionë, helikopterë, zjarrfikës, karburant, ditë pune, e gjithçka tjetër që digjet bashkë me tymnajat.
Njëzet milionë euro… po të mos ishim mësuar, do të na dukej çmenduri. Shtet i fuqishëm, vëlla – ka takat të merret me zjarret e zjarrvënësve.
Por ajo që nuk hyn dot në asnjë buxhet është çmimi i jetës njerëzore. Për bagëtinë, u qetësuam – qeveria premtoi dëmshpërblim. Por kur një familje arrin të shpëtojë vetëm jetën, ndërsa shtëpia, kujtimet, lodrat e fëmijërisë, pemët e mbjella me dorë e djersa e dekadave shndërrohen në hi – kush ua llogarit këtë humbje? Kush vendos çmimin e mallit dhe të dhimbjes?
Po nëse humbet edhe një jetë? Sa vlen atëherë?
Thuhet se nuk ka çmim.
“Vdis, o baba,” – i thanë djemtë atit që i kishte zënë derën – “se do të të bëjmë një varrim madhështor. Do shtrojmë edhe një drekë për kokë të drekës.”
Ja, kaq është njeriu. Se në fund, paratë nuk kanë më asnjë vlerë.
Prandaj jeta njerëzore nuk ka çmim.
E gjithë kjo dramë, që nuk e shuajnë as uji i detit që hedhin njerëzit, as shiu i Perëndisë, ndonjëherë nis nga një duhan i ndezur në mes të arës, nga një fije shkrepse e hedhur me përtesë, nga një “ide e zgjuar” për të liruar një dynym toke. Pastaj, me një frymë të thatë ere, kthehet në një katastrofë që matet në dhjetëra hektarë të djegur… dhe në një faturë kombëtare që nuk e paguan dot asnjë “zjarrdashës”.
