Last Updated on 19/08/2025 by adminfjala
Dinamika e re të trazirave të dhunshme në Serbi lidhet sipas mediave gjermane me frustrimin e qytetarëve për mosveprimin e autoriteteve përkatëse përballë dhunës nga mbështetësit e qeverisë.
“Pas valës së protestave antiqeveritare në Serbi, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka njoftuar se do të ketë një goditje të ashpër ndaj protestuesve, duke i quajtur ata ‘terroristë’”, raportoi transmetuesi publik gjerman ZDF, duke cituar fjalët e Vuçiqit nga një konferencë të dielën. “Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të rivendosur ligjin, paqen dhe rendin”, tha ai.
Vuçiç përshkruhet në raport si një “politikan i krahut të djathtë” dhe citohet të ketë thënë se qeverisë së tij i duhen disa ditë për të përgatitur një “kornizë ligjore dhe formale” për përgjigjen e shtetit.
“Do të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo që keni parë deri më tani”, shtoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme. “Megjithatë, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk po merret në konsideratë”, njoftojnë mediat.
Në Beograd dhe qytete të tjera, përleshjet e dhunshme midis forcave të sigurisë dhe protestuesve kanë ndodhur për disa netë me radhë, raportoi revista Stern, duke shtuar se “Serbia ka përjetuar protesta të rregullta dhe të dhunshme kundër qeverisë dhe korrupsionit që është i përhapur në vend për muaj të tërë.”
“Shkaku ishte shembja e tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, e cila vrau 16 persona”, thuhet në raport, duke shpjeguar se “protestat fillimisht u përqendruan në shkaqet e shembjes”, por më vonë “tubimet e udhëhequra kryesisht nga studentët, u kthyen kundër qeverisë dhe korrupsionit të përhapur në vend”. m.p.
