Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, kroati Tonino Picula, deklaroi se miratimi i raportit vjetor për këtë vend përbën një mesazh të fuqishëm të Parlamentit Evropian ndaj atyre që cenojnë standardet demokratike në Serbi, por edhe ndaj të gjithë atyre që mbështesin rrugëtimin evropian të këtij shteti.
Në një konferencë për media pas miratimit të raportit, Picula bëri të ditur se 70 për qind e eurodeputetëve mbështetën dokumentin e hartuar prej tij dhe ekipit të tij.
“Rezultati i votimit është në vetvete një mesazh i qartë. Shtatëdhjetë për qind e anëtarëve të Parlamentit Evropian e mbështetën raportin, që është më shumë se vitin e kaluar”, u shpreh Picula për gazetarët, transmeton Danas.
Raportuesi për Serbinë theksoi se dokumenti është hartuar në një klimë të polarizuar politike, duke përmendur rritjen e dhunës, frikësimit dhe parregullsive gjatë proceseve zgjedhore lokale.
Sipas tij, Serbia ka shënuar regres në shumicën e fushave për shkak të dobësimit të institucioneve, kufizimit të të drejtave politike dhe qytetare, si dhe vendimeve që, sipas tij, e largojnë vendin nga Bashkimi Evropian.
“Pothuajse nuk ka asnjë fushë ku progresi të jetë vlerësuar si i kënaqshëm. Në shumicën e fushave progresi është i kufizuar ose mungon plotësisht. Gjendja në Serbi, e cila është përkeqësuar prej një kohe të gjatë, ka shënuar regres të mëtejshëm gjatë vitit të kaluar”, deklaroi Picula.
Ai, i cili është kritikuar ashpër për raportin e tij nga kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiç, u ndal edhe te dialogu Kosovë–Serbi dhe politika e jashtme e Beogradit.
Picula tha se përparimi i ngadalshëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mungesa e harmonizimit të politikës së jashtme serbe me atë të Bashkimit Evropian, përfshirë refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, po pengojnë procesin e integrimit evropian të vendit.
Sipas tij, lidhjet e afërta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën, si dhe blerja e armëve nga Pekini nga ana e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, nuk kontribuojnë në sigurinë rajonale.
I pyetur për mundësinë që Aleksandar Vuçiç të rikthehet në postin e kryeministrit të Serbisë, Picula deklaroi se Bashkimi Evropian nuk ndërhyn në politikën e brendshme të vendeve dhe se ky vendim u takon qytetarëve serbë.
“Taktikat zgjedhore u përkasin partive dhe individëve, por historia e afërt tregon se presidenti Vuçiç synon ta përqendrojë të gjithë pushtetin në duart e tij, pavarësisht nëse ndodhet në postin e kryeministrit apo të presidentit”, tha Picula.
Ai shtoi se një manovrim i tillë potencial nga ana e presidentit serb i ngjan taktikave të përdorura më herët edhe nga presidenti rus, Vladimir Putin, i cili kishte ndërruar postet e presidentit dhe kryeministrit të Rusisë me politikanin e tij aleat, Dmitry Medvedev./mxh
