Peshkaqenët janë ndër krijesat më të lashta në Tokë dhe vazhdojnë të mahnitin shkencëtarët me aftësitë e tyre të pazakonta. Këta grabitqarë të oqeaneve kanë mbijetuar pesë zhdukje masive të planetit, përfshirë edhe “Vdekjen e Madhe”, një katastrofë që zhduku pjesën më të madhe të jetës detare rreth 252 milionë vjet më parë.
Sot njihen rreth 500 specie peshkaqenësh, të shpërndarë në pothuajse të gjithë oqeanet e botës. Pas qindra miliona vitesh evolucioni, ata kanë zhvilluar karakteristika që sfidojnë perceptimin e zakonshëm për ta si grabitqarë të drejtuar vetëm nga instinkti.
Peshkaqenët mund të bëjnë matematikë
Studimet kanë treguar se këto krijesa janë më inteligjente nga sa mendohej. Ata mund të dallojnë forma, modele dhe ngjyra të ndryshme, ndërsa disa eksperimente kanë treguar se janë në gjendje të bëjnë edhe dallime të thjeshta matematikore, duke kuptuar ndryshimin mes sasive të ndryshme.
Një shije për muzikën xhaz
Një studim i kryer nga studiues të Universitetit Macquarie në Australi zbuloi një sjellje të pazakontë te peshkaqenët Port Jackson. Gjatë eksperimentit, ata mësuan të lidhnin muzikën xhaz me ushqimin, ndërsa nuk arritën të krijonin të njëjtën lidhje me muzikën klasike.
Kanë kërthizë dhe disa luftojnë për jetën që para lindjes
Disa lloje peshkaqenësh, përfshirë peshkaqenët dem dhe ata çekiç, zhvillohen në mitrën e nënës dhe ushqehen përmes një kordoni kërthizor, një proces i ngjashëm me atë të njerëzve.
Por tek peshkaqeni “sand tiger”, mbijetesa nis që në barkun e nënës. Embrionet ushqehen me njëri-tjetrin derisa mbetet vetëm një i mbijetuar, i cili lind më i fortë dhe më i zhvilluar.
Nuk janë grabitqarë të vetmuar
Pavarësisht imazhit të tyre si krijesa të vetmuara, disa specie peshkaqenësh krijojnë lidhje sociale. Peshkaqenët e shkëmbinjve gri mund të qëndrojnë me të njëjtat grupe për vite me radhë, ndërsa të rinjtë mësojnë aftësi të reja nga bashkëmoshatarët e tyre.
Lëkura e tyre është e mbuluar me mijëra “dhëmbë” të vegjël
Lëkura e peshkaqenëve është një nga përshtatjet më të veçanta të tyre. Në vend të luspave, ajo është e mbuluar me struktura të vogla të quajtura dentikula, të ngjashme me dhëmbë mikroskopikë, të cilët u ndihmojnë të lëvizin më shpejt në ujë duke reduktuar rezistencën.
Mund të ndiejnë rrahjet e zemrës së prenë
Peshkaqenët kanë aftësi të jashtëzakonshme shqisore. Ata mund të dallojnë ndryshime në presionin e ujit, fusha elektrike dhe madje edhe fushën magnetike të Tokës. Kjo u lejon të zbulojnë lëvizjet dhe rrahjet e zemrës së kafshëve pranë tyre, edhe në errësirë ose kur preja është e fshehur nën rërë.
Më të vjetër se pemët dhe dinosaurët
Dëshmitë fosile tregojnë se paraardhësit e peshkaqenëve kanë ekzistuar rreth 450 milionë vjet më parë, shumë përpara shfaqjes së pemëve, dinosaurëve dhe formacioneve të tjera të njohura në historinë e Tokës.
Edhe pse rrugët evolucionare të njerëzve dhe peshkaqenëve janë ndarë qindra miliona vite më parë, shkencëtarët theksojnë se të dyja speciet janë pjesë e së njëjtës histori të gjatë të jetës në planet./mxh
