Last Updated on 20/08/2025 by adminfjala
Nga Ermal Mulosmani
Sipas të dhënave të AMF-së, pagesat që ka bërë SIGAL për klientët e vet, në 6 muajt e parë të vitit, janë rrumbullak 9 milionë Euro. Pra për çdo muaj ka paguar 1.5 milionë Euro.
Ose për çdo ditë që ka falë Zoti ka paguar 50,000 kokrra Euro.
I bindur jam që klienti kur e ka pagu siguracionin ka thënë me vete: “Shkuan kot këto”.
Nuk ka fort faj, ne shohim veten gjithmonë viktimë të një komploti kapitalist. E shoh te vetja. Sa e paguaj këtë 30 Euroshin e Autososit – (me fjalë të thjeshta Autososi është e drejta ime si klient që, për një vit, me më ndodhë ndonjë difekt makine kudo në atdhe, më vjen karrotreci e më marrë pa lek, sa herë të më ndodhë)- më kap në dëshirë që me mu prish makina. Më mirë të më prishet mua makina e të paguajë 300 Euro sesa të më shkojë 30 Euroshi huq e ta marri Avniu….
Sepse ne kapitalistat i shohim si armiq.
Mirëpo, ja pra, 9 milion kokrra Euro i kanë marrë nga arkat e SIGALIT.
E di që po ju ju kruhet shpina tash me ma bo pyetjen legjendë: “Po, po, dakort, po sa ka marrë SIGALI prej nesh se”.
Po normal more që do marrë më shumë sepse shkon me shpresën që nuk do ketë fort dëme. Ai e blen rrezikun e klientit. Ti ia shite rrezikun. Tash do edhe mos me pasë rrezik edhe me marrë paret mbrapsht. Ju ka mësu Ed Rama, normal, pse me pagu siguracione ju. Ju digjen shtëpitë ua paguan Babloku. Si Enver Hoxha në vakt. Me paret tuaja sigurisht. A mos po i jep kujt llogari a?
Jo dajë, ashtu nuk ka në kapitalizëm, është biznes.
Sigali ka ble rrezikun tënd dhe ka ndenjë me zemër dridhur. Ama ti ke fjetë rehat.
Tani që ndodhën dëmet SIGALI ju paguan po ju nuk bëni zë hiç. Se jeni të sigurtë që i keni merituar. Dhe kjo është e vërtetë.
Por ama, siç e kërkoni të drejtën tuaj pranojeni edhe të tjetrit. Të blesh rrezik nuk është kollaj. Një katastrofë zjarresh, kur pronat janë të siguruara mund të ketë dëme kolosale për kompaninë e sigurimeve. Që edhe ajo i del para rrezikut, ia shet kompanive të mëdha nëpër botë. E kështu, edhe kur ndodhen katastrofat garancia për pagesa është maksimale….
Ju kisha sugjeru me ardhë e me pa siguracionet e pronës dhe shëndetit. Më mirë ne qenë i sigurtë financiarisht sesa me shku dy ditë në plazh më shumë në vit. Shpenzojini paret mirë.
9 milionë Euro në 6 muaj. 18 milionë në vit…/kb
