Last Updated on 24/08/2025 by adminfjala
“Ky lloj turizmi mund të reklamohet si një lojë surprizash – rezervoni dhe pastaj hamendësoni se ku do të flini”. Kështu e përshkruan Milloshi nga Podgorica përvojën e tij me akomodimin në Zhablak – një qytet i vogël në veri të Malit të Zi.
Por, në fakt, disa familje me të cilat bisedoi Radio Evropa e Lirë, kishin probleme këtë sezon, sepse akomodimi i rezervuar nuk ishte në dispozicion. Në vend të shtëpisë apo apartamentit të dakorduar, pronarët i kanë ridrejtuar në një objekt tjetër, gjë që, sipas tyre, ka qenë e papranueshme.
Organizata Turistike në Zhablak thotë se është në dijeni të problemit dhe e justifikon atë me rezervimet e shumta. Përkundër kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, Ministria e Turizmit në këtë vend nuk u përgjigj.
Përndryshe, turizmi është sektori kryesor ekonomik në Mal të Zi dhe përbën rreth 30 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Zhablaku është qyteti më i vizituar në veri të Malit të Zi si në verë, ashtu edhe në dimër. Vitin e kaluar, atë e vizituan gati 24 mijë turistë.
Një çift nga Podgorica e rezervoi akomodimin në një vilë në Zhablak në muajin korrik. Reklamën e panë në Instagram. Kur morën konfirmimin se vila ishte e disponueshme në një kohë që u përshtatej, ata nuk kishin asnjë dilemë se ku t’i kalonin pushimet e gushtit, bashkë me tre fëmijët.
Megjithatë, kur mbërritën në destinacion, pronarja u tha se nuk do të akomodoheshin në shtëpinë që kishin rezervuar. “Ne u përballëm me një fakt të kryer dhe nuk kishim zgjidhje tjetër, veçse ta pranonim. Akomodimi nuk ishte i keq, por isha e zemëruar”, rrëfen Zhana nga Podgorica për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thotë se pronari i ri u përpoq, po ashtu, t’u merrte më shumë para sesa duhej. “Çmimit që pronarja kishte vendosur për këtë akomodim, ai ia shtoi 20 euro në ditë, por ne e kundërshtuam këtë përpjekje të turpshme”, thotë ajo.
Me situatë të ngjashme u përball edhe bashkëvendësi i saj, Milloshi. “Arritëm në akomodimin ku kishim qëndruar vitin e kaluar, por pronarja kërkoi falje dhe tha: ‘Nuk u kuptuam. Sapo ju dërgova lokacionin, sepse nuk jeni në këtë shtëpi, por te tezja ime, dy kilometra më larg’”, tregon Milloshi.
Me dy fëmijë, në mbrëmje, ai thotë se nuk kishte shumë zgjedhje. “Ajo shtëpi ishte e bukur, por mënyra se si na pritën, ishte e papranueshme. Dhe ky nuk është një përjashtim – është praktikë”, sipas tij.
Një bashkëbisedues i Radios Evropa e Lirë, që ka informacione për tregun në Mal të Zi, thotë se rastet e tilla nuk e habitin. “Rezervimet e dyfishta janë të zakonshme, sepse nikoqiri mund të gjejë një mysafir për më shumë ditë, ose për një çmim më të mirë, dhe ta zhvendosë tjetrin te fqinji”, thotë ai.
Për të, kjo është pasojë e zhvillimit të pakontrolluar të turizmit dhe faktit se pothuajse kushdo që “ka një dhomë”, mund ta japë me qira. m.p.
