Last Updated on 26/08/2025 by adminfjala
Sot përkujtohet 115 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, shenjtores shqiptare që me jetën dhe veprën e saj frymëzoi botën. E lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, Gonxhe Bojaxhiu u bë simbol i dashurisë, sakrificës dhe përkushtimit për më të varfrit e më të braktisurit. E njohur në mbarë botën si “Nënë Tereza e Kalkutës”, ajo themeloi Urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë dhe kaloi jetën në shërbim të njerëzve në nevojë, duke u bërë një zë i fortë i dashurisë pa kushte.
Fjalët e saj që prekin zemrën: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Shenjtorja shqiptare është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes ndër vite, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe Çmimin “Nobel” për Paqe në vitin 1979.
Më 19 tetor 2003, ajo u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e Shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Shenjtorja fliste rrjedhshëm pesë gjuhë, bengalisht, shqip, serbisht, anglisht dhe hindu.
Në kulmin e Rrethimit të Beirutit në 1982, Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital të linjës së përparme duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm midis ushtrisë izraelite dhe guerileve palestinezë. Në vitin 1991 ajo u kthye në Shqipëri për herë të parë, duke hapur një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Deri në vitin 1996, Tereza ka operuar 517 misione në mbi 100 vende. m.p.
