Last Updated on 28/08/2025 by adminfjala
Prokuroria e Tiranës ka vendosur sekuestro ndaj pasurive me vlerë 26 milionë e 500 mijë euro të Kristian Konit. 45-vjeçari përdor edhe emrin Ols Mete dhe tre identitete të tjera (K. M., Z. R. dhe K.Z.)
Mësohet se 18 pasuri të paluajtshme janë sekuestruar përfshirë edhe dy automjete luksose, konkretisht “Range Rover” dhe “Smart”. Gjithashtu janë sekuestruar edhe llogaritë bankare të personave të përfshirë në hetim.
Sa i përket pronave të sekuestruara, mësohet se ndodhen në zonën e Tiranës, Bathores, Farkës dhe Marikajt. 45-vjeçari nuk është një emër i panjohur për autoritetet ligjzbatuese.
Sipas raportimeve, Koni rezulton të jetë një person me precedent të theksuar kriminal në të kaluarën. Ai ka qenë i dënuar për vrasje me paramendim dhe trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
45-vjeçari Koni ka qenë pjesë e një rrjeti të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në Itali gjatë periudhës 2007–2012.
Nga hetimet e prokurorit të Tiranës, Ndini Tavani, është zbuluar se pasuritë miliona euroshte të Kristian Konit janë vendosur në emër të tij, nënës së tij në pension F.M. dhe shoqërisë “Kriol.Al” në pronësi të vetë 45-vjeçarit. m.p.
