Last Updated on 29/08/2025 by adminfjala
Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për pranim për 402 funksione të rolit bazë për të gjithë ata që kanë përfunduar arsimin e mesëm.
“Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm janë miratuar 402 kuota të lira, nga këto 52 i takojnë konkurrentëve që janë shpallur fitues nga aplikimi i fundit dhe ishin në listë pritjeje, ndërsa 350 kuota i takojnë konkurrentëve të kësaj faze”, njoftoi policia.
Aplikimet janë të hapura nga data 1 Shtatori deri më datë 21 Shtator.
KRITERET PËR APLIKIM
Çdo shtetas që plotëson kriteret e mëposhtme, ka të drejtë të aplikojë pranë drejtorive vendore të Policisë ku ai ka vendbanimin e përhershëm:
•të jetë shtetas shqiptar;
•të jetë jo më shumë se 30 vjeç;
•të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
•të ketë përfunduar arsimin e mesëm (nuk përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e lartë);
•të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
•të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
•të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
•të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
•të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
•të plotësojë kriteret e besueshmërisë dhe të integritetit.
DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM
Shtetasit që shprehin dëshirën për t’u pranuar në Policinë e Shtetit, duhet të dorëzojnë pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në drejtoritë vendore të Policisë, jo më vonë se data 21.09.2025, formularin e aplikimit të plotësuar, së bashku me dokumentacionin e mëposhtëm:
•formularin e vetëdeklarimit për punësim në strukturat e Policisë;
•formularin e dekriminalizimit;
•fotokopje të kartës së identitetit;
•diplomë të shoqëruar me listë notash, që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm (të noterizuara);
•fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
•certifikatë të gjendjes gjyqësore;
•certifikatë familjare;
•skedën mjekësore (formular tip);
•vërtetim nga gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
•vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;
•vërtetim nga SPAK, që nuk është objekt hetimi;
•mandat pagesën e tarifës së aplikimit, i cili merret në drejtorinë vendore të Policisë./kb
