Last Updated on 30/08/2025 by adminfjala
Hansi Flick është njeri optimist. Këtë e konfirmoi këtë të shtunë në konferencën për shtyp, para ndeshjes kundër Rayo Vallecano. Ai siguroi se ka besim që Fermín do të vazhdojë te Barça, u shpreh shpresëplotë për rikuperimin e Gavit nga dëmtimi në gju, pas pushimit (kualifikueseve të kombëtareve), pranoi se objektivi është të fitohet Champions League.
Ndeshja – “E rëndësishme është që kemi fituar 6 pikët e para, por duam ta fitojmë edhe ndeshjen e tretë. Rayo ka bërë një punë të madhe, trajneri i tyre po punon mjaft mirë. Ata dinë si të luajnë. Do të jetë një ndeshje e fortë. Fusha nuk është shumë e madhe, na pret një rival i madh dhe ndeshje ndryshe”.
Fermín – “Për momentin, është këtu. Kam folur me të. Jam i sigurt që do të qëndrojë, por nuk e di çfarë mund të ndodhë. Duhet pritur. Do të jem i lumtur kur të mbyllet merkatoja. Ia kam thënë mendimin tim dhe kjo mbetet mes nesh. Ndonjëherë lojtarët apo rrethi i tyre, ka shumë njerëz, ndoshta dinë më shumë. Futbolli është një biznes i madh. Si trajner përqendrohem tek ekipi im dhe jam i lumtur që është te Barça. Është një pjesë e rëndësishme, stili i tij është ndryshe dhe mund të na ndihmojë shumë”.
Champions League – “Besoj se të gjitha klubet si Barça kanë të njëjtin objektiv: të fitohet Champions-i. Është kompeticioni më i mirë ku luajmë. Ky kapitull i ri është një çmenduri. E pashë me ndihmësin tim Marcus. Është interesant, jemi të lumtur që e luajmë. Sezonin e kaluar bëmë një rrugëtim të madh deri në gjysmëfinale, meritonim më shumë. Do të përpiqemi dhe do ta tentojmë triumfin”. m.p.
