Last Updated on 01/09/2025 by adminfjala
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë kritikuar vendimin për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit, teksa Alban Krasniqi nga ky subjekt kritikoi ambasadat e shteteve të QUINT-it, duke thënë se ato i kanë dalë në mbrojtje “organizatave kriminale”.
Krasniqi nga LVV tha gjatë mbledhjes së KQZ-së më 1 shtator se pavarësisht vendimit të formës së prerë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por edhe të Gjykatës Supreme, ai mendon se me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit do të dëmtohet demokracia.
“Në komunat ku Lista Serbe pretendon të garojë, aty nuk do të ketë demokraci. E dinë prej ambasadorit e përfaqësuesit të BE-së, e gjithë këta të tjerët që janë të QUINT-it, e dinë shumë mirë sepse vetë e kanë deklaruar me radhë. Por, edhe ata fatkeqësisht janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale në vend për hesape të tyre të ngushta apo edhe të karrierës së tyre politike”, tha Krasniqi.
ipas tij, me certifikimin e Listës Serbe kanë dështuar institucionet e drejtësisë, por Qeveria dhe organet e sigurisë kanë kryer punën e tyre.
“Për mua Lista Serbe vazhdon të jetë një organizatë kriminale, me baza dhe përmasa të një organizimi terrorist dhe unë nuk mund ta pranoj si pjesë të sferës politike”, tha ai.
Më 21 gusht, KQZ-ja vendosi për moscertifikimin e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në atë mbledhje, Kurteshi dhe Krasniqi ishin të zëshëm kundër certifikimit të Listës Serbe, duke argumentuar se shumica e kandidatëve të saj janë pjesë edhe e strukturave paralele serbe, por e cilësuan këtë parti edhe si “dorë e zgjatur” e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.
Më 24 gusht, PZAP-i urdhëroi që KQZ-ja të certifikonte Listën Serbe për zgjedhjet e tetorit, duke argumentuar se ky subjekt i ka përmbushur të gjitha detyrimet pasi ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar, përfshirë deklaratën politike, kodin e sjelljes, listën e kandidatëve dhe formularët për konfirmimin e kandidatëve.
Vendimi i KQZ-së i 21 gushtit, për moscertifikimin e Listës Serbe ishte kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit. m.p.
