Last Updated on 14/09/2025 by adminfjala
Një ditë pas atentatit të rëndë në Shkodër (8 shtator), ku mbetën të vdekur Armand Pali dhe Liridon Kraja, si dhe u plagosën rëndë Erogen Vaso dhe Meri Kacerri, Policia ka ngritur dyshime të forta se prapa kësaj ngjarje qëndrojnë persona afër familjes Lici.
Për të kryer disa verifikime, oficerët kanë marrë kontakt me kryefamiljarin e familjes Mustafa Lici, të cilit i kanë kërkuar të paraqitej në Komisariat për verifikim.
Mirëpo, mësohet se Mustafa Lici nuk ka pranuar të dalë nga ambientet e shtëpisë, duke u përgjigjur “… Nuk dal nga kulla jeme…”.Nisur nga kjo situatë, një grup oficerësh janë drejtuar në banesën e tij në Kiras të Shkodrës, duke marrë kontakt me “Tatën”.
Ky i fundit ka dhënë shpjegime mbi dinamikën e lëvizjeve që ka kryer në datën 7 dhe 8 Shtator, si dhe arsyet e mungesës në banesë të dy djemve të tij.
Më tej Mustafa Lici, u ka dhënë shpjegime oficerëve dhe për motrën e tij, e cila është shpallur në kërkim policor, sepse në shtëpinë që ajo kishte dhënë me qira u gjet arsenal armësh. Lici u ka thënë oficerëve se prej 5 vitesh ajo jetonte jashtë Shqipërisë, me banim në një qytet të një vendi të Bashkimit Europian.
“Ora News” ka mësuar se për të bindur oficerët, Mustafa Lici e ka telefonuar të motrën përmes aplikacionit “Ëhats App” dhe ajo më pas ka bashkëbiseduar me oficerët me kamer, duke treguar vendndodhjen, si dhe për të dhënë shpjegime për shtëpinë në Shkodër.
Motra e Mustafa Licit u ka shpjeguar efektivëve se banesën që ka në Shkodër ua kishte dhënë me qira në periudha të ndryshme dy personave, për të cilat ka pretenduar se ka dhe kontrata noteriale.
Për arsenalin e armëve dhe disa dronë modernë të sekuestruar në banesën e saj, Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim Barush Bregun, duke e akuzuar këtë të fundit si njeriun që ka furnizuar me armë Ragip Gilën, autor i atentatit.
