Last Updated on 15/09/2025 by adminfjala
Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të obezitetit tek fëmijët e moshës nën 5 vjeç, sipas raportit të fundit të UNICEF për vitin 2025, me titull “Ushqyerja për fitim. Si mjediset ushqimore po dështojnë me fëmijët”.
Sipas raportit, 17% e fëmijëve shqiptarë nën 5 vjeç ishin mbi peshë në vitin 2024, një përqindje gati trefish më e lartë se mesatarja globale prej 5%, dhe dyfish më e lartë se mesatarja e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore, e cila është 8%. Megjithëse situata mbetet shqetësuese, raporti vlerëson se Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2012, kur niveli i mbipeshës te fëmijët ishte 22%.
Pavarësisht këtij progresi, Shqipëria renditet ndër tre vendet me përqindjen më të lartë të obezitetit në botë për grupmoshën 0–5 vjeç, pas Australisë (26%) dhe Tunizisë (18%). Në rajon, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të mbipeshës te fëmijët nën 5 vjeç: Maqedonia e Veriut: 12% në vitin 2024 (nga 13% në 2012, pa progres domethënës) Serbia: 12% në 2024 (nga 15% në 2012) Mali i Zi: 9% në 2024 (nga 15% në 2012)
Ndërkohë, edhe disa shtete të Bashkimit Europian kanë përqindje të larta, si Greqia (14%), Portugalia (9%), Polonia (9%), ndërsa Anglia (8%), Holanda (5%), dhe Gjermania (3%) paraqesin nivele më të ulëta.
UNICEF thekson se obeziteti në fëmijëri po rritet si pasojë e aksesit në ushqime të përpunuara, varfërisë, mungesës së edukimit për ushqyerjen e shëndetshme dhe dështimit të politikave publike për të siguruar një mjedis ushqimor të sigurt dhe të kontrolluar./e.t
