Last Updated on 17/09/2025 by adminfjala
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka nisur prej dy ditësh një vizitë zyrtare në Hungari, ku është pritur nga Kryeministri Viktor Orban.
Gjatë takimit, Begaj ka vlerësuar mbështetjen e fortë të Hungarisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar rolin kyç të këtij shteti gjatë Presidencës së Këshillit të BE-së në vitin 2024 për avancimin e negociatave.
Bisedimet mes dy liderëve u fokusuan në intensifikimin e dialogut politik mes dy vendeve si aleate në NATO dhe së shpejti në BE. Dy liderët u fokusuan edhe në situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar se anëtarësimi i rajonit në Bashkimin Evropian rrit më tej sigurinë në rajon, por edhe në vetë Bashkimin Evropian.
“Të mos hezitojnë të ndjekin shembullin e kompanive shumë të suksesshme hungareze që operojnë tashmë në Shqipëri”, theksoi Kreu i Shtetit, duke i shprehur Kryeministrit Orban përkushtimin për të inkurajuar hyrjet e mëtejshme të kapitalit hungarez në vend.
“Shqipëria inkurajon, gjithashtu, mbështetjen hungareze për lehtësimin dhe promovimin e aksesit të produkteve shqiptare në tregun e saj”, – u shpreh Presidenti i Republikës.
Gjatë vizitës në Hungari, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, nderoi Heroin Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe shenjtoren shqiptare, Nënë Tereza, duke vendosur kurora lulesh në monumentet e tyre që ngrihen në Budapest. m.p.
