Kreu i Parlamentit Niko Peleshi i ka kthyer përgjigje opozitës e cila kërkon që seanca e sotme të përsëritet pas kaosit të shkaktuar ku deputetët e opozitës morën “flakë” pasi mbajti fjalën “Diella”, ministrja e Inteligjencës Artificiale.
Miratimi i programit politik të mazhorancës dhe Kabineti i Këshillit të Ministrave u krye me shpejtësi vetëm me votat e socialistëve, kurse opozita bënte zhurmuesin duke mos lejuar që kryeministri Edi Rama të mbajë fjalën hyrëse.
Në reagimin, Peleshi thekson se miratimi i sotëm është me rëndësi për vizionin qeverisës të Shqipërisë 2030. Sakaq, shton se puna do vijojë bazuar në Kushtetutë, Rregullore dhe Kod Etike.
“Në seancën e sotme plenare miratuam programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, një hap i rëndësishëm për të çuar përpara vizionin qeverisës të vendit për Shqipërinë 2030. Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë punën e tij, të mbështetur në Kushtetutë, Rregullore dhe Kodin e Etikës, duke garantuar standarde të larta pune dhe transparence, në përputhje me praktikat më të mira të parlamenteve të vendeve të Bashkimit Europian ku synojmë të integrohemi”, shkruan Peleshi. m.p.