Kurbani i Ramës vazhdon!

DENIS DYRNJAJA – Edi Rama po aplikon me sukses një mënyrë të sofistikuar për të dominuar hapësirën publike. Ai shpik tema, figura dhe situata që e mbajnë në dinamikë politikën ne tërësi, por në fakt në mënyrë direkte ose indirekte shkojnë për interesin e tij.

Shembulli i fundit është emërimi i Ministres Diella, një krijesë virtuale institucioneve dhe për më tepër një fenomen inovativ që askush nuk e kishte dëgjuar apo menduar, por që tani është lajm jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Diella është temë e rrjeteve sociale por edhe e memeve të ditës. Me një lëvizje të vetme, Rama e zhvendosi debatin nga buxheti, krimi, çështjet madhore, problemet e pazgjidhura dhe premtimet e parealizuara, tek një çështje surprizë.

Ndërkohë, opozita si gjithmonë përpiqet të reagojë, por gjithnjë me një ose shumë hapa vonesë. Ajo nuk ka arritur ende të krijojë mënyrën e saj për të tërhequr vëmendjen e publikut, përveçse duke komentuar atë që Rama servir. Në vend që të krijojë një axhendë ndryshe, që të ketë thelb dhe alternativë, opozita ndjek gjurmët e Ramës, media dhe më keq Ramën dhe opozitën bashkë në “kurthet” që krijon i pari.

Pra kurthi është gjithnjë gati. Mjafton një emër, një post, një foto dhe gjithë debati shpërqendrohet. Ndërsa opozita vazhdon të pyesë veten, nëse duhet të merret me përmbajtjen apo me formën, Rama tashmë ka fituar raundin tjetër të vëmendjes dhe po mendon për trukun e radhës.

Kur kryeministri gjen mënyra kreative për të devijuar vëmendjen, dhe opozita nuk arrin të prodhojë asnjë alternativë dhe vizion politik, dilema nuk është më kush ka të drejtë, por kush luan më mirë lojën.

Lexo edhe :  Bijtë bastardë të regjimit që rrëzuan Veliajn

Dhe në këtë lojë ku Rama shpik truke të suksesshme, opozita dështon me sukses, duke përsëritur asgjënë e saj. Duhet pranuar se në këto kushte Rama nuk po punon për të fituar zgjedhjet e 2029-ës, por për të gjetur surprizën e radhës dhe për të bërë 83-in, 93 mandate.

Ai shpik, opozita komenton, publiku shikon. Kurbani i Ramës vazhdon!