Last Updated on 22/09/2025 by adminfjala
Një nga operacionet më të mëdha të dekadës kundër trafikut të drogës në Spanjë është zhvilluar këtë të hënë në Portin e Valencias, me objektiv goditjen e një rrjeti kriminal të lidhur me të ashtuquajturin Kartel Ballkanik, ku në qendër të veprimit janë rrjete shqiptare që kontrollojnë trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Më shumë se 100 oficerë të Policisë Kombëtare Spanjolle, nën drejtimin e Gjykatës së Hetimeve nr. 15 në Valencia dhe me koordinimin e UDYCO-s qendrore, kanë zbatuar një operacion me përmasa të paprecedentë, i cili synon shkatërrimin e dy strukturave të organizuara kriminale që veprojnë si kartele klasike.
Operacioni, i nisur që në orët e para të mëngjesit, ka përfshirë 48 kontrolle të njëkohshme në mbi 20 komuna, me mbi 30 persona të arrestuar deri tani dhe një total të pritshëm prej 86 arrestimesh, përfshirë figura kyçe të rrjetit, shumica me lidhje të drejtpërdrejta me grupet shqiptare që operojnë në Kolumbi dhe Ekuador.
Rrjeti shqiptar dhe porta e kokainës drejt Evropës
Sipas hetimeve, dy udhëheqësit e rrjeteve, identifikuar si B.M. dhe I.T., janë punonjës portualë të cilët janë ngritur gjatë viteve në pozita kyçe dhe tani konsiderohen si lidhja direkte mes furnitorëve të Amerikës së Jugut dhe tregut evropian të drogës. Ata kanë bashkëpunuar ngushtë me krerët e Kartelit Ballkanik, një strukturë kriminale ku dominon elementi shqiptar.
Në fokus të operacionit është trafikimi i afro katër tonëve kokainë, konkretisht 3,589 kilogramë të futur në Spanjë përmes Portit të Valencias gjatë viteve të fundit, pothuajse gjithmonë nga porti ekuadoras i Guayaquil — një pikë kyçe në itinerarin e kokainës që drejtohet nga trafikantë kolumbianë dhe rrjete shqiptare.
Një strukturë që kontrollonte portin
Hetuesit spanjollë thonë se dy rrjetet e shkatërruara kishin ndërtuar një strukturë të konsoliduar brenda vetë portit, duke kontrolluar lëvizjen e kontejnerëve dhe duke fshehur drogën përmes metodës së njohur si “kapja e verbër” – një teknikë e zakonshme që fsheh drogën në dërgesa të ligjshme pa dijeninë e eksportuesit apo importuesit.
Objektivi kryesor: paratë dhe lidhjet ndërkombëtare
Përveç arrestimeve, policia është fokusuar në gjetjen e pasurive të paligjshme, përfshirë para fizike, prona të patundshme dhe investime në kriptomonedha. Janë sekuestruar llogari bankare dhe mjete për detektimin e valutës janë përdorur në kontrollet e banesave.
Operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë, të nisur në prill 2024, nga Grupi V i UDYCO-s në Valencia dhe është mbikëqyrur në vazhdimësi nga Zyra e Prokurorit Kundër Drogës.
/kb
burimi: Sport.es
