Po shkruaj nga burgu: Demokracia turke është në rrezik të madh

Ekrem Imamoğlu*

Vit të kaluar, u rizgjodha kryebashkiak i Stambollit me 51% të votave. Ishte hera e dytë që munda kandidatin e mbështetur nga qeveria. Herën e parë ndodhi në vitin 2019, kur zgjedhjet bashkiake u anuluan me pretekste të dobëta; qytetarët u kthyen sërish në kutitë e votimit dhe na dhanë një fitore edhe më të madhe.

Por këtë vit, demokracia në Turqi ka hyrë në fazën e saj më të rrezikshme. Procesi nisi në mars, në prag të nominimit tim si kandidat presidencial i CHP-së, Partisë Republikane Popullore njëqindvjeçare. Pikërisht atëherë u anulua papritur diploma ime universitare. Pse kishte rëndësi kjo? Sepse, sipas kushtetutës turke, për t’u kandiduar për president duhet të kesh një diplomë universitare. Pak më pas, u akuzova për korrupsion dhe “ndihmë ndaj një organizate terroriste”. Prej gjashtë muajsh jam pas hekurave, i arrestuar mbi akuza politike për korrupsion, bazuar në dëshmi të “anonimëve”. Në një vend të lidhur me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kjo është një padrejtësi e madhe.

Dhe nuk jam i vetmi. Në mbarë Turqinë, mbi një duzinë kryebashkiakësh të opozitës ndodhen tani në burg. Fatkeqësisht, ky numër po rritet çdo ditë; më shumë se një e katërta e distrikteve të Stambollit kanë parë arrestimin e udhëheqësve të tyre të zgjedhur, duke heshtur miliona votues në një nga qytetet më të mëdha të botës.

Nga kryebashkiakët në Adana e Antalya, deri tek punonjësit bashkiakë në Stamboll, represioni ka prekur çdo nivel. Qindra njerëz kalben nëpër qeli – gazetarë, akademikë, biznesmenë dhe studentë. Enes Hocaoğulları, një delegat i rinisë në Këshillin e Europës, u arrestua vetëm pse foli hapur, nën ligjet e paqarta të Turqisë mbi “dezinformimin” e publikut. Lirimi i tij, pas protestave brenda dhe jashtë vendit, është një fitore e vogël, por domethënëse, për rezistencën demokratike.

Le të jem i qartë për atë që po ndodh. Në arrogancën e pushtetit të pakontrolluar, presidenti Recep Tayyip Erdoğan po armëson sërish gjykatat kundër opozitës demokratike. Këtë herë, kundërshtarët po burgosen dhe po zëvendësohen me besnikë. I paaftë të mbyllë CHP-në, qeveria po ndjek një proces gjyqësor që synon të zhbëjë udhëheqësinë e saj të re, duke përmbysur rezultatin e kongresit kombëtar të vitit 2023. Vetëm pak ditë më parë, një gjykatë urdhëroi anulimin e kongresit lokal të CHP-së në Stamboll, rrëzimin e kryetarit dhe vendosjen e një kujdestari të emëruar.

Ky proces, i zvarritur me qëllim destabilizimin e opozitës kryesore, shënon një pikë kthese në shkatërrimin e pluralizmit politik. Një sistem ku gjyqtarët zëvendësojnë udhëheqësit e zgjedhur me kukulla të zgjedhura nga lart, nuk është demokraci.

Lexo edhe :  Mes aspiratës për BE dhe kolapsit politik, Moldavia mban zgjedhjet parlamentare të dielën

Pasi ka boshatisur institucionet e republikës për të ndërtuar një regjim autoritar, Erdoğan tani synon të prodhojë një opozitë të rreme e të nënshtruar. Ai do të rishkruajë rregullat në mënyrë që asnjë rival i vërtetë të mos mbijetojë, duke siguruar pushtetin në stilin e Mubarakut të Egjiptit apo Assadëve të Sirisë. Këto janë metoda të qëllimshme që nesër mund të kopjohen edhe diku tjetër, përveçse në Turqi, nëse demokratët kudo nuk qëndrojnë bashkë për t’i rezistuar.

Taktikat gjithnjë e më represive të tij zbulojnë erozionin e mbështetjes popullore dhe përpjekjen e dëshpëruar për të ruajtur pushtetin. Për të shmangur një tjetër humbje në kutitë e votimit, ai rishkruan rregullat. Mbështetet te fushatat e njollosjes, akuzat për korrupsion, përçarja e opozitës dhe etiketa e përhershme e “terroristit”. Por kjo shfaqje force vetëm sa ka minuar legjitimitetin e tij, duke e bërë gjithnjë e më të varur nga një pakicë e ngushtë dhe aparati shtetëror.

Populli i Turqisë nuk gënjehet më. Protestat mbushin rrugët, dhe sondazhet vendosin vazhdimisht CHP-në si partinë kryesore të vendit. Që prej 19 marsit, ditën kur u arrestova, miliona qytetarë, edhe në bastionet e supozuara të Erdoğan-it, kanë marrë pjesë në protesta paqësore për drejtësi dhe ndryshim, pavarësisht rrezikut të arrestimit dhe dhunës policore. Kjo rezistencë pasqyron traditën 150-vjeçare të demokracisë parlamentare turke. Por rezistenca e vetme nuk mjafton.

Prandaj, CHP po përgatit një hartë rrugore të plotë për një tranzicion demokratik, për të ndërtuar një aleancë elastike dhe gjithëpërfshirëse: të fitojmë zgjedhjet; të stabilizojmë ekonominë; të rivendosim pavarësinë e drejtësisë; të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar; të zgjerojmë të drejtat sociale; të rikthejmë besimin në institucione; dhe të ridimensionojmë rolin e Turqisë në peizazhin e ri gjeopolitik.

Lufta e Turqisë për demokraci, liri dhe drejtësi nuk është vetëm e saj. Nëse një komb, përvoja e të cilit provon se demokracia është një projekt universal, zhytet më tej në autokraci, pasojat do të ndihen shumë më gjerë se kufijtë e saj.

Megjithatë, unë mbetem i bindur: vullneti i popullit do të triumfojë. Zemërimi ynë përballë padrejtësive duhet të kthehet në strategji. Dhe kjo strategji duhet të përfshijë ndërtimin e një kulture të re politike dhe institucionesh që nderojnë trashëgiminë demokratike të Turqisë. Nëse ia dalim, nuk do të rimarrim vetëm demokracinë tonë në shtëpi, por do të ndihmojmë edhe ringritjen e saj në mbarë botën.

*Ekrem Imamoğlu është kryebashkiaku i zgjedhur i Stambollit dhe kandidati presidencial i Partisë kryesore të opozitës në Turqi, CHP. – Përgatiti për botim: L.Veizi