Një shpërthim në një anije ruse të ankoruar në portin e bazës detare të Bengazit dyshohet se është shkaktuar nga një sulm me dron, ka bërë të ditur qeveria e Libisë Lindore.
Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, ndërsa anija ishte ndalur në port për t’u furnizuar me karburant dhe materiale të nevojshme, gjatë rrugës së kthimit drejt Rusisë, raportojnë mediat shtetërore libiane, duke cituar qeverinë lindore.
Sipas autoriteteve, zona është siguruar dhe nuk raportohet për viktima. Ndërkohë, Moska ende nuk ka reaguar lidhur me incidentin.
Pamjet satelitore të kompanisë Planet Labs PB, tregojnë një anije në flakë në portin e Bengazit . Një tjetër imazh, i regjistruar disa orë më vonë, duket se tregon të njëjtën anije pjesërisht të fundosur.
Qeveria e Stabilitetit Kombëtar (GNS), e cila kontrollon Libinë Lindore, deklaroi se anija ruse po përdorte portin e Bengazit në kuadër të një marrëveshjeje ekzistuese detare.
GNS bëri të ditur se incidenti i së dielës është nën hetim dhe se autoritetet libiane po bashkëpunojnë me palën ruse për të përcaktuar origjinën e sulmit të dyshuar dhe personat përgjegjës.
Qeveria e Libisë Lindore e dënoi sulmin ndaj një anijeje brenda një porti libian, duke e cilësuar atë si shkelje të sigurisë detare dhe cenim të sovranitetit të vendit.
Ajo theksoi se Libia nuk është palë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, apo në ndonjë konflikt tjetër jashtë kufijve të saj.
Ndërkohë, reagim ka ardhur edhe nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë, me seli në Tripoli.
Qeveria e Unitetit Kombëtar (GNU) paralajmëroi kundër strehimit të forcave të huaja dhe lejimit të përdorimit të infrastrukturës libiane prej tyre.
Në një deklaratë të publikuar nga mediat shtetërore, GNU shprehu shqetësimin se aktivitete të tilla krijojnë “frikëra serioze” për rreziqet që mund të lindin nga përfshirja e porteve dhe objekteve civile në aktivitete që lidhen me konflikte të jashtme.
Sipas qeverisë, kjo mund të rrezikojë jetën e qytetarëve, si dhe sigurinë e objekteve dhe aseteve kombëtare.
Libia është përfshirë prej vitesh në dhunë dhe paqëndrueshmëri politike, që prej rrëzimit të liderit Muammar Gaddafi në vitin 2011, duke çuar në krijimin e dy qeverive rivale.
Porti i Bengazit ndodhet më shumë se 2,000 kilometra larg kryeqytetit rus, Moskës./mxh
