Skandali që ka përfshirë drejtuesin e Nvidia-s, Jensen Huang, ka shkaktuar reagime të forta në politikën amerikane. Senatori republikan John Kennedy nuk i ka kursyer ironitë ndaj miliarderit të teknologjisë, duke komentuar lidhjen e tij jashtëmartesore me një biznesmene kineze, e cila dyshohet për spiunazh në favor të Pekinit.
Gjatë një interviste në emisionin “Meet the Press” të televizionit NBC, Kennedy u pyet nëse kjo çështje përbënte rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
“Po. Dhe nuk kam shumë dëshirë të flas me zotin Huang. Ai bëri atë që bëri. Shpresoj të jetë kënaqur. Ishte seksi më i shtrenjtë që nga koha e Helenës së Trojës”, deklaroi senatori.
Referenca e tij lidhet me mitologjinë greke, ku lidhja mes Helenës së Trojës dhe princit trojan Paris u bë shkak për Luftën e Trojës, e cila, sipas legjendës, zgjati dhjetë vjet.
Dyshimet për spiunazh në favor të Kinës
Sipas raportimeve mediatike, Jensen Huang kishte pranuar një lidhje jashtëmartesore, ndërsa gruaja me të cilën dyshohet se kishte marrëdhënie, biznesmenia kineze Alice Huang, ishte vënë nën dyshime nga shërbimet amerikane të inteligjencës.
Ajo nuk ka lidhje familjare me themeluesin e Nvidia-s dhe ka mbajtur një pozicion të lartë drejtues në kompaninë Megaspeed International, me seli në Singapor, e cila ishte një prej klientëve të rëndësishëm të prodhuesit amerikan të mikroprocesorëve.
Kompania kishte blerë çipa Nvidia me vlerë miliarda dollarë dhe ishte përfshirë në hetime pas dyshimeve se kishte ndihmuar klientë kinezë të siguronin teknologji të avancuar, të cilësuar si të kufizuar nga rregullat amerikane të eksporteve.
Sipas informacioneve të publikuara, zyrtarët amerikanë dyshojnë se Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës kishte rekrutuar Alice Huang për të afruar drejtuesin e Nvidia-s dhe për të siguruar informacione të rëndësishme.
Skandali bëri që bordi drejtues i kompanisë të nisë një hetim të brendshëm. Ndërkohë, Jensen Huang u kërkoi falje punonjësve për tradhtinë ndaj bashkëshortes së tij.
Trump kërkon një mundësi të dytë për Huang
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që Huang të ketë një mundësi të dytë, duke e cilësuar atë si një biznesmen të shkëlqyer që ka marrë disa vendime të gabuara.
Megjithatë, sipas raportimeve, bordi i Nvidia-s nuk ka ndërmend ta rikthejë atë në drejtimin e kompanisë, pavarësisht përpjekjeve të tij dhe mbështetësve në sektorin e teknologjisë.
Në një takim online të drejtuar nga kryetari i bordit, Harvey Jones, u bë e qartë se rikthimi i Huang në krye të kompanisë nuk ishte në planet e drejtuesve.
Ndërkohë, Nvidia ka publikuar rezultatet e para financiare pas shpërthimit të skandalit, duke tejkaluar pritshmëritë e analistëve si në fitime, ashtu edhe në të ardhura.
Për tremujorin e tretë të vitit fiskal 2027, fitimi për aksion arriti në 2.68 dollarë, kundrejt 2.48 dollarëve që prisnin analistët. Të ardhurat u regjistruan në 115.8 miliardë dollarë, më shumë se parashikimi prej 109.1 miliardë dollarësh.
Divizioni i qendrave të të dhënave, një prej sektorëve më të rëndësishëm të kompanisë, gjeneroi 107.6 miliardë dollarë të ardhura.
Ndërkohë, kompania ka caktuar drejtuesen financiare Colette Kress si drejtuese të përkohshme ekzekutive, ndërsa vijon kërkimi për pasuesin e Huang.
Senatori kërkon hetim për eksportet e çipave drejt Kinës
Përtej skandalit personal, senatori Kennedy kërkoi që në Kongres të hetohet edhe mënyra se si autoritetet amerikane kanë zbatuar kufizimet për eksportin e çipave të avancuar drejt Kinës.
Ai deklaroi se dëshiron të marrë në pyetje sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick, dhe sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, në vend që të përqendrohet vetëm te drejtuesi i Nvidia-s.
“Më duket, dhe e theksoj, më duket, se Departamenti i Tregtisë e ka lejuar Partinë Komuniste Kineze të anashkalojë kontrollet tona për eksportin e çipave të avancuar. Ose kjo, ose nuk e kanë ditur se çfarë po bënin”, deklaroi Kennedy.
Ai i kritikoi ashpër zyrtarët amerikanë dhe kërkoi që Lutnick dhe Bessent të dëshmojnë nën betim për këtë çështje.
Senatori la të kuptohej se Kina mund të ketë përfituar nga boshllëqet në zbatimin e kufizimeve amerikane dhe kërkoi që përgjegjësitë të sqarohen.
Në fund, Kennedy bëri edhe një tjetër koment ironik për dy sekretarët, duke sugjeruar me humor që ata të mos sulmojnë njëri-tjetrin gjatë dëshmisë, pasi sipas tij nuk kanë marrëdhënie të mira mes tyre.
“Nëse sekretari Lutnick po i dhuron çipat tanë, atëherë duhet të ndalet”, përfundoi senatori./mxh
