Pas shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, situata politike në Tiranë po merr vëmendje të madhe nga partitë dhe analistët. Analisti Martin Leka komentoi përgatitjet e partive për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Sipas Lekës, Partia Socialiste po i merr seriozisht përgatitjet për fushatë, ndërsa Partia Demokratike është ende e papërgatitur dhe nuk ka shpallur kandidatin e saj për kryeqytetin.
“PS e ka marrë shumë seriozisht fushatën, PD është ende në kuadrin e mospërgatitjes totale të saj për zgjedhjet. PD e di që nuk mund ta fitojë Bashkinë e Tiranës. Manastirliu është figurë e konsoloduar brenda PS dhe do i tejkalojë votat që ka marrë Veliaj. Patjetër, unë kështu mendoj”, tha Leka, ne një intervistë për emisionin “Newsline” në ABC News.
Analisti sugjeron se kandidati i PS-së, Manastirliu, ka potencial për të marrë më shumë vota se Veliaj dhe për të siguruar fitoren për socialistët në kryeqytet, duke lënë PD-në në një pozitë të disavantazhuar./E.S