Presidenti amerikan, Donald Trump, u zotua se nuk do ta lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor, duke kundërshtuar thirrjet e disa politikanëve të ekstremit të djathtë atje, që duan ta zgjerojnë sovranitetin mbi tokën palestineze e t’i shuajnë shpresat për një shtet palestinez.
Kryeministri Benjamin Netanyahu përballet me presion të madh nga disa aleatë brenda koalicionit qeverisës për të aneksuar Bregun Perëndimor, gjë që i ka shqetësuar liderët arabë. Disa prej tyre u takuan të martën me Trump-in në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.
Unë nuk do ta lejoj Izraelin ta aneksojë Bregun Perëndimor. Jo, nuk do ta lejoj. Nuk do të ndodhë, iu tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. Mjaft është mjaft. Ka ardhur koha të ndalet tani!
Franca, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Portugalia janë ndër vendet që kanë njohur shtetin palestinez ditët e fundit, pjesërisht për ta mbajtur gjallë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete. Izraeli e ka dënuar vendimin e tyre për njohjen e shtetit palestinez.
Ndërkohë, Netanyahu ka mbërritur në Nju Jork për të mbajtur sot një fjalim në Kombet e Bashkuara. Zyra e Netanyahu-t tha se kryeministri do t’i përgjigjet deklaratës së Trump-it sapo të kthehet në Izrael. Vendbanimet izraelite janë rritur në madhësi dhe numër që nga koha kur Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor gjatë luftës së vitit 1967.
Ato shtrihen thellë në tokën palestineze, me një sistem rrugësh dhe infrastrukturë tjetër nën kontrollin izraelit, duke e copëtuar më shumë tokën. Një plan për vendbanime izraelite, i njohur si projekti E1 dhe i dënuar nga shumë vende, u miratua në gusht. Ky projekt do ta ndajë në dysh Bregun e pushtuar Perëndimor dhe do ta shkëpusë nga Jerusalemi Lindor.
Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, një ultranacionalist në koalicionin e djathtë që mban Netanyahun në pushtet, tha në atë kohë se “shteti palestinez po hiqet nga tavolina”.
Vendet arabe dhe myslimane e paralajmëruan Trump-in për pasojat e rënda të aneksimit të Bregut Perëndimor, një mesazh që presidenti amerikan “e kupton shumë mirë”, sipas ministrit të Jashtëm saudit, princit Faisal bin Farhan Al-Saud.
Rreth 700 mijë kolonë izraelitë jetojnë mes 2.7 milion palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, të cilin Izraeli e aneksoi në një veprim që nuk njihet nga shumica e vendeve. Izraeli nuk pranon të heqë dorë nga kontrolli mbi Bregun Perëndimor.
Shumica e bashkësisë ndërkombëtare i vlerëson vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Izraeli e kundërshton këtë, duke cituar lidhjet historike dhe biblike me këtë tokë dhe duke thënë se vendbanimet ofrojnë thellësi strategjike e siguri./kb