Çamçakizi që rrotullohet në gojën e opozitës

Denis Dyrnjaja

Nëse do të kishte një sinjal që opozita po shteron jo vetëm në ide por edhe në njerëz, ai është momenti kur një profil si Silva Caka, përfaqësuese e një force si PL, ish LSI, e njohur për qëndrimet e saj publike kundër regjimit, shfaqet në oborrin qeveritar të Edi Ramës.

Caka nuk është as e para dhe as më e rëndësishmja. Por është simboli më i freskët dhe më domethënës i një tendence që po merr hov në opozitën plot “shpresë të Berishës, rendja drejt pushtetit, qoftë në mënyrë të heshtur, qoftë në emër të një normaliteti të ri, që Rama po ndërton me mjeshtëri.

Ndryshe nga ajo që opozita akuzon prej vitesh për kapje të shtetit, autoritarizëm dhe kriminalizim të politikës, ajo që ndodh sot është një fenomen shumë më i thellë dhe më i rrezikshëm, “shtegtimi tradhëtar”, i njerëzve të saj, të bindurve, të besuarve dhe të zëshmëve.

Edi Rama nuk i shantazhon, nuk i kërcënon, thjeshtë i josh. U ofron poste, mundësi, përfshirje. Mbi të gjitha perspektivë jetese dhe ekzistence politike. Arsyeja që përdor? Këtu bëhet punë, atje ka vetëm rrëmujë.

Në fund të fundit tani të gjithë janë të vetëdijshëm se opozita vazhdon të përtypë të njëjtën frazë që është kthyer në çamçakizin e saj politik, “Rama ik…Rama ik…Rama ik… Ndërkohë në vend se të ikë Rama, po ikin njerëzit e opozitës.

Dhe ndërsa Edi Rama i josh njerëzit e saj, opozita vazhdon të përtypë çamçakizin e vet politik. E fryn, e plas, e ngjit në fytyrat e mediave, dhe çdo herë kujton se bën zhurmë. Në fakt po dëgjohet vetëm zhurma e këpucëve dhe takave të burrave dhe grave që largohen prej saj.

Lexo edhe :  Evis Sala duhet mbrojtur nga sëmundjet e shëndetësisë shqiptare

Dikush duhet ta ndjejë këtë shije, pa shije!/ E.T