Zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ndryshimet në qeveri, dorëheqjet dhe shkarkimet e fundit kanë lënë gjashtë bashki të vendit pa kryetar. Bëhet fjalë për Tiranën, Vlorën, Beratin, Tepelenën, Matin dhe Cërrikun, të cilat po drejtohen aktualisht nga kryetarë të komanduar.
Megjithatë, qytetarët e këtyre bashkive do të duhet të shkojnë së shpejti drejt kutive të votimit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur përgatitjet për garën elektorale të parakohshme të vjeshtës.
Kryekomisioneri Ilirian Celibashi, në një intervistë për Vizion Plus, deklaroi se institucioni tashmë ka nisur procesin, me përjashtim të Tiranës, e cila kërkon më shumë kohë për shkak të kompleksitetit të administrimit të zgjedhjeve në kryeqytet. Ai shtoi se KQZ pret dekretin e Presidentit për të nisur edhe me afatet e partive politike.
Një pikë shqetësuese mbetet financimi i zgjedhjeve. Celibashi tha se do të ketë diskutime me qeverinë dhe parlamentin për të siguruar fondet e nevojshme, duke theksuar se institucionet janë në koordinim të plotë për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent.
Tani pritet që Këshilli i Ministrave të dërgojë në Presidencë shkarkimin e Erion Veliajt dhe vakancat e pesë bashkive të tjera. Pas marrjes së shkarkimeve, Presidenti ka 48 orë kohë për të dekretuar datën e zgjedhjeve, duke vendosur në lëvizje një nga proceset më të rëndësishme elektorale të vitit.
Kjo garë parakohshme nuk është vetëm një sfidë administrative, por edhe një test i madh politik për partitë dhe liderët e vendit, që do të matet nga angazhimi i qytetarëve dhe rezultati i kutive të votimit./E.S