Lesi: Opozita e dorëzuar, Tirana i takon Manastirliut

Nikollë Lesi komentoi situatën e opozitës, teksa zgjedhjet e pjesshme në Tiranë janë në prag dhe Partia Demokratike ende nuk ka kandidat përballë Ogerta Manastirliut.

Sipas tij, opozita tashmë e ka humbur terrenin, pasi as Ilir Alimehmeti dhe as Jorida Tabaku nuk do të kandidojnë.

“Dhe Tirana, nëse nuk kandidon Ilir Alimehmeti, figura më e njohur dhe më mbledhëse, është e humbur. Ai nuk do të futet në zgjedhje të pjesshme, ndoshta vetëm për 4-vjeçarët. As Tabaku nuk kandidon. Përse të humbë mandatin? Vetëm një mrekulli mund ta ndryshojë situatën, për shkak të mungesës së besimit të lidershipit të PD-së tek elektorati,” tha Lesi.

Ai theksoi se, përveç Alimehmetit, asnjë tjetër nga opozita nuk ka shanse reale për të fituar.

“Tirana nuk do të lëshohet nga Partia Socialiste. Ogerta Manastirliu është një nga ministrat më karizmatikë, popullore dhe lëvizëse. Beteja me të është e vështirë për PD-në. Do të ketë garë vetëm nëse PD-ja gjen një kandidat të jashtëzakonshëm”, tha ai.

Lesi e paraqiti situatën si një sfidë serioze për demokratët, duke sugjeruar se pa figura të njohura dhe besueshme, fitorja në Tiranë duket thuajse e pamundur./E.S