Last Updated on 19/11/2026 by Monika
Pas përjashtimit nga të gjitha forumet e PS nga kryeministri Edi Rama, Elisa Spiropali e zhveshur nga çdo funksion përveç atij të deputetes ka sulmuar atë që dikur e quante “Skënderbeun” e saj, kryeministrin Edi Rama.
E ftuar në Top Story në Top Channel, Spirpoali tha se PS i duhet një reformim i thellë.
“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm, në një udhëkryq sa i takon PS-së dhe mënyrës se si qeverisim. Sot është e qartë që pushteti i madh nuk mjafton më as për besim, as për legjitimitet.
Unë i kam besuar dhe i besoj Edi Ramës sa i takon vizionit për të transformuar Shqipërinë dhe për të lënë pas një Shqipëri europiane. Duke nisur personalisht, nuk jam kursyer të bëj beteja për këtë formë politike dhe për këtë qeveri, edhe atëherë kur nuk kisha asgjë të lidhur me përfitimet apo të mirat që sjell pushteti.
Unë kam bërë beteja në PS që në FRESH. Në këtë pikë, PS-ja ka bërë shumë për transformimin e Shqipërisë. A mjafton kjo?
Ajo që kam thënë përpara se të fillonte revolucioni i flakadanëve ka qenë se jemi në udhëkryq dhe duhet të shohim nga e ardhmja dhe të vendosim: a duam të kemi një Shqipëri që pushteti e kufizon, apo duhet të heqim dorë nga personalizmi ekstrem i pushtetit? Sot nuk e kemi.
Po të shikosh mënyrën se si ne qëndrojmë aty dhe kolegët, shokët dhe shoqet në atë Asamble, krijohet ajo ndjesi që, në vend që ne të flisnim për ata që protestojnë, merremi sot me tentativa për përjashtime.
Ne duhet të bëjmë reformim të thellë të PS. Nuk kemi zgjedhje të gjitha nivelet, nuk kemi zgjedhje brenda PS”, tha Spiropali./Mxh
