Last Updated on 29/09/2025 by adminfjala
Ish-deputeti demokrat Lefter Maliqi ka reaguar ndaj zërave se Partia Demokratike nuk ka ende një kandidat përballë Ogerta Manastirliut për Bashkinë e Tiranës, duke i cilësuar si propagandë të rilindjes.
“Shqiptarët të mos e hanë këtë aktrim dhe propagandë të rilindjes që PD nuk ka kandidatë. Kandidatë ka, negociata bëhen për të rakorduar edhe tek emri, për mua emri mund të jetë zgjedhur. Këto diskutime bëhen sepse ne jemi përballë një narkoshteti. PD kërkon edhe mendimin e pjesës tjetër të opozitës, të partive të tjera, që të hedhin idetë në tryezë për një emër të përbashkët,” tha Maliqi në News 24.
Më tej, ai theksoi se PD dhe opozitës i duhet një punë e madhe në bazë për të përballuar regjimin, i cili sipas tij, nuk lëshon pe as pas fitoreve dhe po vepron si një diktaturë.
“Urgjent riorganizim në bazë, drejtuesit politik që kanë humbur në zgjedhje të japin dorëheqje. Ata që kanë humbur për arsye të masakrës apo vetes së tyre, t’u hapin rrugën njerëzve të përkushtuar. Pa bazë nuk ka fitore,” shtoi Maliqi.
Komentet e tij vijnë në një moment kur PD dhe partitë opozitare po diskutojnë kandidatin e përbashkët për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, përballë kandidaturës së Ogerta Manastirliut nga Partia Socialiste./E.S
