Nga dhimbja te buzëqeshja/ Fotot prekëse të fëmijëve nga Gaza bëhen simbol shprese

Në mes të tragjedisë së përditshme në Palestinë, një fotografi e fotoreporterit Ahmed Younis ka prekur botën, duke treguar peshën e padurueshme të luftës mbi supet e pafajshme të fëmijëve. Në imazhin viral të disa ditëve më parë, djaloshi Jadoua shfaqej me lot në sy, duke mbajtur mbi supe vëllain e tij më të vogël, Khaled, ndërsa largoheshin nga shtëpia e tyre e shkatërruar në Gaza.

“Një fëmijë mban vëllain e tij më të vogël në rrugën e gjatë të zhvendosjes nga Gaza Veriore në Jug, një skenë që pasqyron koston e tmerrshme humanitare të luftës mbi civilët,” shkroi Younis duke shpjeguar fuqinë e imazhit.

Pak ditë më vonë, ai publikoi një tjetër foto që tregonte të njëjtin çift fëmijësh duke qeshur dhe duke luajtur së bashku – një kontrast i fuqishëm me pamjen e parë, por gjithashtu një simbol i mbijetesës dhe shpresës.

“Midis këtyre dy fotove shtrihet historia e një brezi që mbijeton përmes dashurisë dhe solidaritetit, një mësim i jashtëzakonshëm për humanitetin,” shkruan Younis, duke treguar se edhe mes rrënojave, fëmijëria mund të gjejë vend për të buzëqeshur.

Këto dy imazhe, njëra nga dhimbja dhe tjetra nga gëzimi, janë bërë simbol i fuqisë së jetës dhe shpresës në mes të konfliktit humanitar në Gaza./E.S