Taksa e re doganore e Bashkimit Evropian po ndikon menjëherë te tregtia elektronike: importet e pakove të vogla, veçanërisht nga Kina, kanë rënë me 30–40% që nga hyrja në fuqi e tarifës më 1 korrik. Për vite me radhë, miliona pako të vogla nga Kina kanë mbërritur drejtpërdrejt në shtëpitë e konsumatorëve evropianë. Veshje, aksesorë, pajisje elektronike dhe produkte të përditshme të porositura përmes platformave si Shein, Temu dhe AliExpress janë shitur me çmime shumë të ulëta.
Por ky model po përballet tashmë me një pengesë të re. Që prej 1 korrikut, pakot me vlerë deri në 150 euro i nënshtrohen një tarife doganore fikse prej 3 eurosh për kategori produkti. Më parë, këto dërgesa të vogla përjashtoheshin nga detyrimet doganore.
Efekti ka qenë i shpejtë. Sipas të dhënave të doganave franceze, të cituara nga Ministria e Ekonomisë, numri i pakove të vogla të importuara në BE ka rënë me 30–40% që nga hyrja në fuqi e tarifës. Të dhënat për platformat kryesore tregojnë një goditje të drejtpërdrejtë në shitje. Midis qershorit dhe korrikut, volumi i shitjeve në Temu ra me 50%, ndërsa në AliExpress me 37%. Shein rezultoi më rezistent, me një rënie prej 15%, pjesërisht falë magazinës së saj në Poloni, e cila i lejon të reduktojë ndikimin e tarifave doganore.
Pse BE-ja po ndërhyn?
Shkalla e fenomenit është e madhe. Vetëm gjatë vitit 2025, në BE hynë rreth 5.9 miliardë produkte me vlerë të ulët, ose më shumë se 16 milionë pako në ditë.Për Brukselin, sistemi i mëparshëm krijonte një avantazh për platformat e mëdha të huaja ndaj shitësve evropianë, të cilët duhet të respektojnë të njëjtat rregulla dhe të paguajnë detyrime për importet. Por shqetësimi nuk është vetëm ekonomik. Komisioni Evropian ka ngritur edhe çështjen e sigurisë së produkteve. Sipas një kontrolli të kryer në vitin 2025 në BE, më shumë se 60% e produkteve me vlerë të ulët të inspektuara nuk përmbushnin kërkesat ose standardet evropiane të sigurisë. Për këtë arsye, rregullat e reja synojnë t’u japin autoriteteve doganore më shumë mundësi për të identifikuar produktet që paraqesin rrezik.
A do të ndryshojë modeli i tregtisë elektronike?
Tarifa prej 3 eurosh duket se ka frenuar menjëherë fluksin e pakove të vogla, por pyetja më e madhe është nëse ajo do të ndryshojë në mënyrë të qëndrueshme modelin e tregtisë elektronike.
Masa aktuale është pjesë e një reforme më të gjerë të sistemit doganor të BE-së, e planifikuar për vitin 2028. Një tjetër ndryshim mund të vijë që në nëntor, me tarifa shtesë për financimin e përpunimit të pakove. Rasti i Shein tregon gjithashtu një nga mënyrat se si platformat mund t’u përshtaten rregullave të reja: në vend që produktet të dërgohen direkt nga Kina, kompanitë mund të zhvendosin magazinat brenda territorit evropian. Kjo do të thotë se BE-ja mund të ketë arritur të ngadalësojë fluksin e pakove të lira, por beteja më e madhe është ende përpara: nëse rregullat e reja do të ndryshojnë realisht mënyrën se si funksionon tregtia elektronike ndërkufitare dhe avantazhin konkurrues të platformave kineze në tregun evropian./ad