Ryshfet 1 mijë euro, lihet në burg edhe ish-inspektori tjetër i IMT-së

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin G.F., pas një vendimi të shpallur sot nga gjyqtarja Igerta Hysi.

Sipas njoftimit për mediat, trupa gjykuese shqyrtoi ankimin e paraqitur nga i pandehuri, i cili kundërshtoi vendimin nr. 88, datë 30.08.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Pas shqyrtimit, Apeli vendosi të rrëzojë ankesën dhe të miratojë vendimin e mëparshëm, duke lënë në fuqi masën e arrestit.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Lartë, brenda një afati 45-ditor nga dita e njoftimit.

Ndërkohë, në një vendim të mëparshëm, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte konfirmuar gjithashtu masën e arrestit me burg për ish-inspektorin e IMT-së, shtetasin K.Zh., i cili është nën hetim për veprimtari të dyshuar kriminale në kuadër të korrupsionit në detyrë.