Last Updated on 02/10/2025 by adminfjala
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të martën se seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar dhe duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi.
Vendimi u mor pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të komunitetit serb në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e pakicave. Gjykata ka theksuar se ende nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb dhe ka urdhëruar deputetët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën në interes të Kosovës.
Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare nga minoriteti joserb, ndërsa deputetët serbë nuk kanë siguruar votat e nevojshme, pavarësisht disa rundeve të votimit. Lista Serbe ka argumentuar se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk ka vepruar drejt duke shpallur Kuvendin të konstituar pa zgjedhur edhe nënkryetarin serb.
Pas pranimit të ankesës, Kushtetuesja ka vendosur një masë të përkohshme, e cila ndalon deputetët të ndërmarrin veprime drejt formimit të Qeverisë së re deri më 30 shtator, duke pasur parasysh dyshimet për shkelje kushtetuese.
Ky vendim ka shkaktuar reagime të forta politike. Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në pushtet, e ka kritikuar masën e Gjykatës, ndërsa Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se bllokimi i Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit serb mund të cenonte themelet e shtetit dhe se votimi i pakove për minoritetet nuk kërkohet nga Kushtetuta./E.S
