Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar zhvillimet e fundit politike që lidhen me vakancën në Bashkinë e Tiranës, duke e cilësuar çështjen si një moment kyç për demokracinë dhe institucionet.
“Procesi ndaj Erion Veliajt reflekton kapjen e pushtetit dhe arrogancën totale. Votimi unanim i këshilltarëve socialistë që deri dje e kishin mbrojtur, tregon që sot nuk kemi më mekanizma kontrolli dhe balanca”, tha ajo.
Tabaku shprehu rezerva edhe për rolin e presidentit Bajram Begaj në këtë çështje, duke e cilësuar si një test të vërtetë për institucionin e Presidencës.
“Shpresoj që Presidenti të ngrihet në lartësinë e detyrës. Besoj tek institucionet, por në këtë rast Presidenti është i kushtëzuar nga një njoftim i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti s’mund të dekretojë një datë për Tiranën, për shkak të ankimimit që pezullon shkarkimin”, u shpreh Tabaku.
Deputetja demokratike e cilësoi këtë rast si unik dhe sfidues për kreun e shtetit, ndërsa për përgatitjet e PD-së për zgjedhjet e pjesshme tha:
“Është një vendim që do të merret kur të mblidhen strukturat. Ka nisur një proces seleksionimi të kandidatëve, sigurisht do ketë vendime politike. Se çfarë do bëjë Partia Demokratike, do e vendosin forumet.”
E pyetur për prapaskenat mes Ramës dhe Veliajt, Tabaku tha se fakti që kryebashkiaku i pezulluar ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, i hap rrugë një procesi që “shpresoj shumë që Veliaj të kthehet edhe në të penduar të drejtësisë”.
Ajo e krahasoi rënien e Veliajt me rastin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, ndërsa theksoi se opozita ka potencial real për të fituar në këto zgjedhje të parakohshme.
“Opozita ka shanse të fitojë për shkak të kandidatit që do të propozojë, sistemit të ngritur dhe mbi të gjitha sepse qytetarët kanë nevojë për shpresë. Është i njëjti sistem, e njëjta fytyrë që shqiptarët duan të ndryshojnë,” tha Tabaku.
Sa i përket mundësisë që ajo vetë të futet në garë, deputetja përjashtoi çdo diskutim në këtë drejtim.
“S’kam asnjë diskutim të tillë, forumet do të mblidhen. Kam qenë më parë në Bashkinë e Tiranës, por kjo është një eksperiencë që për mua i përket së shkuarës,” u shpreh ajo.