Last Updated on 02/10/2025 by adminfjala
Një nga prioritetet e mandatit të katërt është transformimi digjital i arsimit, por një pyetësor i realizuar nga Ministria e Arsimit tregon se sfidat mbeten të mëdha. Nga 332 mësues të anketuar në 7 bashki, rreth 48% thanë se shkollat e tyre nuk kanë pajisje të mjaftueshme teknologjike ose përballen me probleme të vazhdueshme të internetit.
Analiza e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar thekson se mungesa e infrastrukturës teknologjike ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e mësuesve për të integruar teknologjinë në mënyrë të qëndrueshme dhe krijuese në orët e mësimit.
Vetëvlerësimi i mësuesve tregon se mbi 70% ndihen të aftë në përdorimin e mjeteve standarde teknologjike, por vetëm 34% ndjekin trajnime të strukturuara për kompetencat digjitale, duke nxjerrë në pah një hendek midis njohurive teknike dhe aftësive pedagogjike për integrimin e TIK.
Sipas të dhënave, mësuesit më të rinj dhe ata që japin lëndë tekniko-shkencore janë më të sigurt në përdorimin e TIK, ndërsa mësuesit më të moshuar dhe të lëndëve shoqërore raportojnë vështirësi. Rreth 60% e mësuesve përdorin TIK në mënyrë të rregullt, kryesisht për kërkimin e informacionit (82%), përgatitjen e materialeve mësimore (79%) dhe komunikimin me nxënësit (63%).
Megjithatë, përdorimi i teknologjisë për qëllime më të avancuara, si projektet bashkëpunuese apo vlerësimi i vazhduar, mbetet i ulët. Rezultatet tregojnë se investime të mëtejshme në infrastrukturë dhe trajnimin e mësuesve janë të domosdoshme për të realizuar transformimin digjital të arsimit.
