Last Updated on 28/06/2026 by EL
Të përfundosh brenda një tornadoje është një nga përvojat më ekstreme që mund të përjetojë një njeri. Këtë e dëshmon Perry Samson, profesor emeritus i Shkencave Atmosferike në Universitetin e Miçiganit, i cili i mbijetoi një tornadoje në vitin 2008, pasi makina e tij u përfshi nga vorbulla gjatë një misioni kërkimor në Kansas.
Sipas Samson, brenda tornadoes zhurma është shurdhuese, e krahasueshme me tingullin e mijëra motorëve reaktivë që punojnë njëkohësisht. Era është aq e fuqishme, sa duket sikur godet si një mur i fortë, ndërsa shikueshmëria bie pothuajse në zero për shkak të reve të mbushura me pluhur dhe mbeturina që fluturojnë me shpejtësi të madhe.
Përveç rrezikut nga objektet që përplasen, tornadoja shkakton edhe ndryshime të menjëhershme të presionit atmosferik. Kjo sjell dhimbje të forta në veshë dhe ndjesinë sikur trupi po shtypet. Ndërkohë, erërat që mund të kalojnë 200–300 km/h e bëjnë pothuajse të pamundur çdo lëvizje, madje edhe hapjen e derës së makinës.
Shkencëtari arriti të mbijetojë falë një reagimi instinktiv: ai e drejtoi makinën përballë erës për të shmangur përmbysjen. Megjithatë, ai pranon se fati luajti një rol po aq të rëndësishëm.
Ekspertët theksojnë se, nëse ndodheni pranë një tornadoje, mënyra më e sigurt për të mbijetuar është të kërkoni menjëherë strehim në një ndërtesë të fortë ose në një strehimore të posaçme, pasi përballja direkte me vorbullën mund të jetë fatale.
