Zjarr në aeroport/ Bllokohet autostarda, vonesa në fluturim, pasagjerët mbeten në pritje

Një zjarr ka shpërthyer këtë mëngjes në një parkimin shumëkatësh të Terminalit 3 në aeroportin Heathrow në Lonër, pasi një automjet mori flakë papritur, raportojnë autoritete vendase.

Pamjet nga vendngjarja treguan shtëllunga të mëdha tymi që përfshinë godina dhe flakë që përhapeshin me shpejtësi. Sipas autoriteteve britanike, alarmi i parë u dha në orën 09:03, ndërsa menjëherë në vendngjarje mbërritën katër automjete zjarrfikëse dhe rreth 25 zjarrfikës nga stacionet e Heathrow, Hayes dhe Feltham.

Për shkak të flakëve, një pjesë e autostradës M4 në drejtim të jugut është mbyllur pranë aeroportit, ndërsa udhëtarëve u është këshilluar të përdorin daljen J3 të M4 ose J14 të M25. Edhe disa linja autobusësh janë detyruar të ndërpresin shërbimin e tyre drejt Heathrow, duke shkaktuar vonesa dhe konfuzion te pasagjerët.

Një zëdhënës i Heathrow konfirmoi se bëhej fjalë për një zjarr të kontolluar.

“Mëngjesin e sotëm, ekipet tona reaguan ndaj një zjarri në parkimin shumëkatësh të Terminalit 3. Zjarri u shua shpejt, por parkimi mbetet i mbyllur përkohësisht, gjë që mund të shkaktojë trafik në rrugët përreth. Të gjitha parkimet e tjera të aeroportit funksionojnë normalisht. Kërkojmë ndjesë pasagjerëve për shqetësimin e shkaktuar,” u shpreh ai./e.t