Dekretimi i datës 9 Nëntor për zgjedhjet në Tiranë, nga Presidenti Bajram Begaj, ka ngjallur reagime mes subjekteve politike, por edhe njohësve të ligjit, të cilët thonë se kreu i shtetit ka konsumuar shkelje të rëndë kushtetuese.
Avokati Jordan Daci, në një lidhje direkte për Klan News me moderatorin Drini Zeqo, e cilësoi dekretin e Presidentit si një akt antikushtetues. Sipas tij, Begaj ka anashkaluar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është institucioni i vetëm që mund të shqyrtojë ankimime të tilla.
“Unë e shoh si një kronikë të paralajmëruar, por gjithsesi jo kushtetuese për arsye shumë të thjeshta, sepse jo më larg se dje reagoi Gjykata Kushtetuese. Është më se e qartë se ankimimi bëhet vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Arsyetimi i presidentit është tepër foshnjor dhe nuk qëndron aspak në aspektin juridik,” u shpreh Daci.
Ai theksoi se një president serioz duhet të kishte zgjedhur të priste vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe jo të ndërmerrte një hap që, sipas tij, sjell pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues.
“Një president më mirë zgjedh t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese sesa të zgjedhë të shkelë Kushtetutën në mënyrë të shpejtë,” tha ai.
Daci tha gjithashtu se Gjykata Kushtetuese mund të ndërhyjë për të pezulluar organizimin e zgjedhjeve deri në shqyrtimin e ankimit të paraqitur nga Veliaj. “Nëse kjo ndodh, atëherë presidenti nuk ka më asnjë mburojë juridike përpara asaj që ka bërë, sepse praktikisht ka konsumuar një shkelje të rëndë kushtetuese.” m.p.