Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, ka deklaruar se e konsideron të ligjshëm dhe kushtetues shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës. Ai theksoi se edhe këshilltarja e kësaj force politike në Këshillin Bashkiak ka votuar pro shkarkimit, por shtoi se pas ankimit të Veliajt, fjala e fundit i takon Gjykatës Kushtetuese.
“Lëvizja Bashkë ka votuar për shkarkimin, e konsiderojmë të ligjshëm dhe kushtetues. Por kur ai ankohet hyn në fuqi neni 115 për pezullimin. I vetmi institucion që mund ta zgjidhë këtë rebus është Gjykata Kushtetuese, e cila ka detyrimin moral të japë përgjigje sa më parë”, tha Qori.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të vijë pa vonesa, pasi në të kundërt mund të krijohet një situatë absurde në prag të zgjedhjeve.
Siç ka thënë më herët për “Fjala.al”, Qori rikonfirmoi, se nuk do te bashkëpunojë me partitë e tjera.
Kreu i Lëvizja Bashkë bëri të qartë se forca e tij politike nuk do të bashkëpunojë me asnjë parti tjetër dhe nuk do të mbështesë një kandidat të përbashkët të opozitës.
“Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me ata që kanë vjedhur Shqipërinë dhe janë me oligarkinë ekonomike. Si do të bëjmë fushatë, kur unë denoncoj oligarkët dhe ata marrin të mira nga oligarkët?”, tha Qori.
Ai njoftoi se Redi Muçi nuk do të kandidojë për Tiranën, pasi do të vijojë mandatin e tij si deputet, ndërsa kandidati i Lëvizja Bashkë do të përcaktohet së shpejti.
“Jemi gati për zgjedhje”
Qori theksoi se Lëvizja Bashkë është e përgatitur të hyjë në garë me kandidatin e saj, pavarësisht situatës së paqartë ligjore.
“Detyra e një partie është të mobilizojë votuesit e saj. Ne mezi po i presim zgjedhjet dhe të paraqesim alternativën tonë”, tha ai i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.
Në fund, Qori shtoi me ironi se, nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë shumë vonë, “mund të përfundojmë në një situatë qesharake, ku del GJK dhe thotë ‘anullim loje’.”/E.S